Kandidati i AAK-së, Dardan Krasniqi, ka kritikuar mungesën e investimeve në sektorin e agroturizmit, duke e cilësuar si një nga dështimet që po pengon zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Sipas Krasniqit, zona e Urës së Fshejtë dhe Kanioni i Drinit të Bardhë përfaqësojnë ndër atraksionet më të bukura natyrore dhe më të vizituara në Kosovë, por pavarësisht potencialit të madh, nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme institucionale.
“Hajde shikone pak bukurinë e Drinit të Bardhë te Ura e Fshejtë, një nga atraksionet më të vizituara natyrore, me Kanionin e Drinit të Bardhë, pamje panoramike mbresëlënëse, ujëvara dhe shtigje për ecje në natyrë, piknikë dhe mundësi për vizita turistike gjatë gjithë vitit. Asnjë investim në agroturizëm. Qitja pikën dështimeve”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se zhvillimi i turizmit dhe agroturizmit do të krijonte vende të reja pune, do të rriste të ardhurat për bizneset lokale dhe do të promovonte vlerat natyrore të Kosovës.
Në fund të mesazhit të tij, Krasniqi ka përsëritur moton e tij politike: “Kosovën që e duam – Siguri, Energji, Zhvillim”.
Dardan Krasniqi garon në zgjedhje me numrin 25 në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me numrin 128.