Dardan Krasniqi ka reaguar lidhur me përfshirjen e ish-pjesëtarëve dhe familjeve të luftës në politikë, duke thënë se ndien respekt për brezat e UÇK-së që kanë dhënë kontribut dhe vazhdojnë të angazhohen në jetën publike.
Ai tha se vlerëson themeluesit dhe figurat që kanë qenë pjesë e lavdisë së luftës, por shtoi se ndien zhgënjim kur, sipas tij, sakrifica e luftës përdoret si argument politik, ndërsa mungon reagimi ndaj deklaratave që ai i konsideron fyese për vlerat kombëtare dhe çlirimtare.
“Me historinë e popullit tonë, nga Gjergj Kastrioti deri te Adem Jashari, nuk mund të jesh i pranishëm vetëm kur të duhet vota. O je çdo ditë në mbrojtje të atyre vlerave, ose nuk je fare”, është shprehur Krasniqi.
Ai kritikoi edhe atë që e quajti mospërputhje mes deklarimeve gjatë fushatave dhe bashkëpunimeve politike pas tyre, duke theksuar se vlerat e luftës dhe sakrifica e UÇK-së nuk duhet të përdoren vetëm si slogan politik.
Krasniqi tha se mbrojtja e vlerave çlirimtare duhet të jetë qëndrim i vazhdueshëm dhe jo pjesë e interesave të momentit politik.