Në një artikull mbi zhvillimet në Serbi, gazeta e mirënjohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) thekson se një pjesë e lëvizjes protestuese studentore karakterizohet nga një ton nacionalist. Së fundmi, kjo u bë e qartë përmes miratimit të një „memorandumi“ studentor, i cili në një gjuhë konfuze ideologjike përsërit narrativat nacionaliste serbe për Kosovën dhe në thelb kërkon që shteti tashmë i pavarur të rikthehet si provincë nën sovranitetin e Beogradit.
Një politikan që e refuzon këtë është Shaip Kamberi, i vetmi deputet shqiptar në parlamentin serb, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Kamberi vjen nga Lugina e Preshevës, e cila kufizohet me Kosovën në jugperëndim të Serbisë. Në luginë ka një shumicë të popullsisë shqiptare. Krejt në jug, rreth qytetit kufitar të Preshevës, shqiptarët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë. Prandaj, nuk është çudi që Kamberi i sheh ngjarjet nga një perspektivë shqiptare.
Megjithëse ai nuk e refuzon në parim lëvizjen protestuese studentore, raporton “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai patjetër që refuzon „memorandumin e tyre për Kosovën“ dhe dukuritë e ngjashme shoqëruese nacionaliste: „Demokratizimi i Serbisë nuk mund të bazohet në riprodhimin e modeleve të vjetra nacionaliste – madje as atëherë kur ato vijnë të ambalazhuara me një paketim të ri politik“, thotë ai. Ai thotë se e kupton argumentin pragmatik se është e nevojshme të zëvendësohet „regjimi autoritar i Aleksandar Vuçiqit“, por përvoja nga historia e re serbe ka treguar „se kompromiset me nacionalizmin prodhojnë në aspektin afatgjatë kriza të reja, padrejtësi të reja dhe paqëndrueshmëri të re“.
Me këtë ai aludon për vitet nëntëdhjetë dhe fillimin e viteve dymijë. Në shtator të vitit 2000, opozita e bashkuar serbe kishte arritur të mposhtte në zgjedhje sundimtarin e dhunshëm Sllobodan Millosheviq (ministër i propagandës së të cilit në atë kohë ishte presidenti i tanishëm Aleksandr Vuçiq). Pasi Millosheviqi nuk deshi t’i pranonte rezultatet, ai u rrëzua në një kryengritje popullore në tetor të po atij viti. Por çmimi për ndryshimin e pushtetit ishte i lartë. Në zgjedhje, opozita pro-evropiane kishte bërë një aleancë pragmatike me nacionalistin serb Vojisllav Koshtunica, i cili në vitet në vijim, si president jugosllav dhe më vonë si kryeministër serb, e largoi Serbinë nga BE-ja dhe e afroi me Rusinë.
Kamberi nuk dëshiron që zhvillime të tilla të përsëriten me lëvizjen studentore. „Një Serbi demokratike duhet të bazohet në vlerat qytetare, në ballafaqimin me të kaluarën dhe në barazinë e të gjithë popujve“, thotë ai. Natyrisht, lëvizja studentore nuk është homogjene dhe do të ishte gabim që të gjithë studentët të cilësoheshin si nacionalistë. „Megjithëse, problemi lind kur simbolet, mesazhet ose dokumentet dominuese lënë përshtypjen e një vazhdimësie me narrativat e vjetra kombëtare që e çuan rajonin në konflikte.“ Atëherë nuk është çudi që te pakicat në Serbi të lindë shqetësimi „se në thelb asgjë nuk po ndryshon realisht“.
Mbështetësit e studentëve argumentojnë se këmbëngulja e tyre për kthimin e Kosovës në shtetin serb nënkupton vetëm respektim të kushtetutës serbe. Kjo është formalisht e saktë, nënvizon gazeta gjermane. Si kryeministër, Koshtunica inicioi në tetor të vitit 2006 një referendum të suksesshëm, si pasojë e të cilit Kosova që prej asaj kohe renditet si pjesë e pandashme e Serbisë në preambulën e kushtetutës serbe.