Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > ZKA-ja shpenzon mbi 160 mijë euro për qira, Spanca: 177 milionë euro borxhi i ndërmarrjeve publike

ZKA-ja shpenzon mbi 160 mijë euro për qira, Spanca: 177 milionë euro borxhi i ndërmarrjeve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit tash e sa kohë po kërkon që ta zgjidhin çështjen e objektit, pasi që nga themelimi i saj qëndrojnë në një objekt privat.

Qiraja vjetore që e paguan ky institucion është më shumë se 160 mijë euro, teksa pjesa më e madhe e buxhetit për mallra dhe shërbime shkon për qira.

Në një intervistë Vlora Spanca ka folur edhe për ndërmarrjet publike, me ç’rast ka thënë se 9 prej tyre operojnë me humbje. Ndërsa humbjet e këtyre ndërmarrjeve kapin shifrën e 177 milionë eurove.

Sa i përket objektit, Spanca u shpreh se kanë adresuar kërkesa te institucionet relevante, teksa thotë se kanë marrë zotime se do t’u zgjidhet ky problem.

“Zyra Kombëtare e Auditimit qysh prej themelimit do të thotë tashmë i bëjmë 20 vite që nga themelimi ka operuar në vazhdimësi në objekte private, tashmë edhe jemi të vendosur në një objekt privat ku paguajmë një shumë të madhe të qirasë e për neve kjo si institucion suprem i auditimit do të thotë nuk është e mirë për reputacionin, kredibilitetin e institucionit tonë”, u shpreh Spanca për EO.

“Shuma të cilën ne e paguajmë është diku 162 mijë euro në vit dhe është shumë mjaft e lartë dhe pothuajse pjesa më e madhe e buxhetit për mallra dhe shërbime shkon për qiranë, përderisa ne kemi nevoja të shumta që të investojmë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit tonë, po shpresoj që Qeveria do të ndërmarrë masa për shkak se kontrata e qiradhënies në këtë objekt ku jemi do të përfundojë në korrik të vitit të ardhshëm”, u shpreh ajo.

Kryeauditorja Vlora Spanca ka folur edhe për ndërmarrjet publike, me ç’rast ka thënë se qëndrojnë shumë keq në raportimet financiare.

Nga 12 ndërmarrjet që i mbikëqyr ky institucion, 9 prej tyre operojnë me humbje, teksa thotë se humbja e akumuluar e të gjitha ndërmarrjeve publike, të cilat i ka audituar ZKA-ja, është 177 milionë euro.

“Ndërmarrjet publike qëndrojnë shumë keq, për shkak se 12 ndërmarrjet publike të cilat i kemi audituar të gjitha kanë opinione jo të mira do të thotë jo të pastra, opinione të modifikuara, 10 prej tyre kanë opinione të kundërta, përveç mangësive në raportimin financiar, ndërmarrjet publike qëndrojnë keq me stabilitetin financiar, do të thotë stabiliteti financiar i ndërmarrjeve publike është mjaft i brishtë duke marrë parasysh që detyrimet e përgjithshme si ato afatshkurtra dhe afatgjata të gjitha ndërmarrjeve publike të cilat i kemi audituar kapin vlerën prej 238 milionë euro, për më shumë kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt për shkak se ndërmarrjet publike diku 9 prej tyre operojnë me humbje, e humbja e akumuluar e të gjitha ndërmarrjeve publike, të cilat i kemi audituar është 177 milionë euro, përveç kësaj kanë diku edhe 50 milionë euro të cilat janë llogaritur të hartueshme e që nëse arrin edhe t’i inkastojnë të gjitha llogaritë e hartueshme gjatë vitit 2022”.

Spanca ka thënë se ndër ndërmarrjet me performancë të dobët janë Posta e Kosovës dhe Kompania Regjionale e Ujit “Hidroregjioni”.

“Po ashtu edhe në aspektin e rekomandimeve të auditimit do të thotë përveç stabilitetit financiar edhe raportimit financiar edhe në aspektin e zbatimit të rekomandimeve nuk qëndrojnë mirë diku vetëm 52 për qind të rekomandimeve janë zbatuar edhe tek aspekti i pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, do të thotë se sa i kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret në fuqi, do të thotë edhe kjo nuk qëndron mirë, pothuajse të gjitha përveç dy ndërmarrjeve publike kanë opinione apo konkluzione jo të mira do të thotë se jo të gjitha transaksionet i kanë kryer. Me sa më kujtohet është Posta e Kosovës edhe Kompania Regjionale e Ujit ‘Hidroregjioni’”, u shpreh Spanca. TV Arbëria

Powered by WordPress