Kandidati i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në Zürich, ku ky i fundit tha se “nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar”.
Përmes një reagimi publik, Kryeziu e quajti Kurtin “zullumqar politik”, duke thënë se me këtë deklaratë ka fyer luftën e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Sipas tij, deklarata e Kurtit nuk është luftë kundër korrupsionit, por tentativë për të kriminalizuar luftën çlirimtare dhe për të goditur kundërshtarët politikë.
“Kjo është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj mijëra njerëzve që derdhën gjak për këtë vend”, ka shkruar Kryeziu.
Ai gjithashtu ka akuzuar qeverinë për skandale dhe keqpërdorime, duke thënë se nëse Kurti do të luftonte realisht korrupsionin, atëherë do të duhej të niste nga njerëzit e afërt të qeverisë së tij.