Dardan Krasniqi ka reaguar lidhur me gjendjen ekonomike në vend, duke kritikuar politikat qeveritare dhe mënyrën e menaxhimit të parasë publike.
Sipas tij, një shtet që udhëhiqet me politika të dobëta ekonomike, paaftësi qeveritare dhe keqpërdorim të buxhetit për interesa elektorale, krijon pasoja që i bart qytetari i zakonshëm.
Krasniqi ka theksuar se ndarja e 100 eurove në prag zgjedhjesh nuk paraqet zgjidhje për problemet ekonomike të qytetarëve, duke shtuar se masa të tilla nuk luftojnë varfërinë, nuk krijojnë vende pune dhe nuk rikthejnë dinjitetin e familjeve që po përballen me vështirësi ekonomike.
“Kolapsi ekonomik nuk mbulohet me propagandë apo me ndihma të përkohshme. Realiteti shihet çdo ditë në rrugët tona, aty ku gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë ndihmë për të siguruar jetesën”, ka deklaruar ai.
Tutje, Krasniqi është shprehur se një shtet i fortë ndërtohet përmes zhvillimit ekonomik, drejtësisë dhe punës, e jo përmes, siç i ka quajtur ai, “mashtrimeve sezonale dhe përdorimit të buxhetit për vota”.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se fotografitë e realizuara prej tij gjatë tri ditëve të fundit, sipas tij, pasqyrojnë gjendjen aktuale në vend.