Kandidati për deputet nga radhët e PDK, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me rrezikun që Kosova të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare nëse nuk përfundon infrastruktura sportive deri në vitin 2028.
Sipas tij, “Kosovën shumë shpejt mund ta godasë një lajm i kobshëm” dhe nëse nuk realizohen projektet e parapara, vendi rrezikon të humbasë statusin e vendit mikpritës për këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar.
Ai ka theksuar se “derisa koha po kalon, nuk është hedhur asnjë kaci në ndërtimin e fshatit olimpik”, duke shtuar se mungon progresi në realizimin e stadiumit të ri dhe infrastrukturës tjetër sportive.
“Edhe lokacioni i paraparë për ndërtimin e stadiumit nacional në Drenas ka mbetur djerrinë”, ka shkruar Kryeziu, duke shtuar se “Pallatin e Rinisë po e gërryen koha” dhe se aty duhet të zhvillohen garat e mbyllura.
Ai ka vlerësuar se për kompletimin e projektit nevojiten të paktën “250 milionë euro investime”, ndërsa ka kritikuar qeverinë aktuale për mungesë veprimi dhe, siç u shpreh ai, “shpenzime të kota mbi 20 miliardë euro”.
Në fund të postimit, Kryeziu ka bërë thirrje politike për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar: “Që të mos ua vrasim të ardhmen të rinjve, më 7 qershor e kemi obligim ta dërgojmë në shtëpi njëherë e përgjithmonë këtë Qeveri.”