Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Propaganda me shifra: si po përpiqet Ministri Murati ta shesë stagnimin si sukses ekonomik

Propaganda me shifra: si po përpiqet Ministri Murati ta shesë stagnimin si sukses ekonomik

Shkruan: Basri Beka

Z. Hekuran Murati, deklaratat tuaja nuk janë thjesht të pasakta, por krijojnë një narrativë të deformuar që mashtron opinionin publik.

Ju keni qenë pjesë e qeverisjes prej vitit 2021, dhe jo “vetëm prej disa ditësh”, prandaj çdo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë duke ricikluar statistika të selektuara është shmangie nga realiteti.

Sipas të dhënave të FMN-së dhe Bankës Botërore për PBB për kokë banori (PPP), në periudhën 2008–2020, Kosova nuk ka qenë vendi i fundit në Evropë. Në shumicën e atyre viteve, Moldavia ka qenë në fund të renditjes, ndërsa Kosova është pozicionuar e parafundit. Pretendimi se Kosova “ka qenë e fundit kur ju keni ardhur në pushtet” nuk përputhet me këto të dhëna.

Sot, po, Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë, dhe në disa vlerësime të fundit prap renditet e dyta pas Moldavisë. Por ta paraqesësh këtë si “sukses historik” është shtrembërim i realitetit. Ky ndryshim minimal nuk është rezultat i reformave të thella strukturore, por i faktorëve të jashtëm si remitencat e diasporës, flukset e ndihmave ndërkombëtare dhe rikuperimi pas pandemisë.
Në vend të transformimit ekonomik që u premtua, realiteti është tjetër:
korrupsion i perceptuar dhe i raportuar vazhdimisht,
punësime politike dhe nepotizëm në institucione,
mungesë reformash serioze në energji, arsim dhe shëndetësi,
dhe administratë e mbingarkuar me ndikim politik.

Rezultati është i dukshëm: Kosova mbetet në fund të Evropës për standard jetese, me emigracion të lartë të të rinjve, paga të ulëta dhe kosto jetese në rritje.

Krahasimi me Moldavinë nuk është indikator suksesi, por dëshmi e mungesës së progresit real krahasuar me rajonin.

Kosova nuk ka nevojë për interpretime të gabuar të statistikave. Ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe politika që sjellin zhvillim të prekshëm, jo narrativë politike për konsum ditor.

Në fund, 6 vite e gjysmë në qeverisje janë më se të mjaftueshme për t’u gjykuar nga rezultatet. Dhe ato rezultate nuk përkthehen në sukses, por në stagnim të menaxhuar me propagandë.