Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos si emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Agjencia njoftoi se shpërthimi në provincën lindore Ituri, ku janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 viktima, nuk i plotëson kriteret për t’u konsideruar pandemi globale. Megjithatë, OBSH paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet në një shpërthim shumë më të madh sesa rastet që po zbulohen aktualisht, me rrezik të konsiderueshëm për përhapje lokale dhe rajonale, raporton BBC, transmeton Periskopi.
Sipas OBSH-së, varianti aktual i Ebolës shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin ende nuk ka ilaçe apo vaksina të miratuara. Simptomat e hershme përfshijnë temperaturë, dhimbje muskujsh, lodhje, dhimbje koke dhe fyt, ndërsa më pas shfaqen të vjella, diarre, skuqje në lëkurë dhe gjakderdhje.
Deri më tani janë konfirmuar tetë raste laboratorike të virusit, ndërsa raste të tjera të dyshuara dhe viktima janë raportuar në tri zona shëndetësore, përfshirë Bunian – kryeqytetin e provincës Ituri – si dhe qytetet minerare Mongwalu dhe Rwampara.
Një rast është konfirmuar edhe në kryeqytetin Kinshasa, tek një pacient që ishte kthyer nga Ituri. Virusi tashmë ka kaluar kufijtë e RD të Kongos, pasi dy raste janë konfirmuar edhe në Ugandë. Autoritetet ugandeze thanë se një burrë 59-vjeçar që vdiq të enjten kishte rezultuar pozitiv me Ebola.
Qeveria e Ugandës bëri të ditur se viktima ishte shtetas kongolez dhe trupi i tij tashmë është kthyer në RD të Kongos.
OBSH theksoi se situata e pasigurisë dhe kriza humanitare në RD të Kongos, së bashku me lëvizjen e madhe të popullsisë, vendndodhjen urbane të vatrës së shpërthimit dhe numrin e madh të klinikave joformale, e rrisin rrezikun e përhapjes së virusit.
Shtetet fqinje të RD të Kongos konsiderohen me rrezik të lartë për shkak të tregtisë dhe udhëtimeve të shpeshta.
OBSH rekomandoi që RD e Kongos dhe Uganda të krijojnë qendra emergjente operative për monitorim, gjurmim të rasteve dhe zbatim të masave parandaluese kundër infeksionit.
Për të kufizuar përhapjen, organizata këshilloi që rastet e konfirmuara të izolohen dhe trajtohen menjëherë derisa dy teste të kryera me interval prej të paktën 48 orësh të rezultojnë negative.
Për vendet që kufizohen me zonat e prekura, OBSH kërkoi forcimin e mbikëqyrjes shëndetësore dhe raportimit të rasteve.
Megjithatë, organizata shtoi se vendet jashtë rajonit të prekur nuk duhet të mbyllin kufijtë apo të kufizojnë udhëtimet dhe tregtinë, pasi masa të tilla “zakonisht ndërmerren nga frika dhe nuk kanë bazë shkencore”.