Rashit Qalaj ka reaguar publikisht pas deklaratave të bëra nga Sadri Ramabaja në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke i cilësuar ato si shpifje dhe akuza të pabaza ndaj tij lidhur me periudhën kur kishte shërbyer në Policinë e Kosovës.
Qalaj ka deklaruar se është informuar se më 15 maj 2026, gjatë emisionit, Ramabaja kishte bërë pretendime për rolin e tij gjatë kohës sa ushtronte detyrë në Policinë e Kosovës.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Ramabaja bën deklarime të tilla, duke e cilësuar atë si “shpifës kronik”, ndërsa ka shtuar se deklaratat e tij, sipas Qalajt, nuk janë të rastësishme, por lidhen me interesa politike.
Në reagimin e tij, Qalaj ka sqaruar se në periudhën për të cilën është folur, ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Operacioneve në Policinë e Kosovës dhe ka qenë përgjegjës për operacionet policore në nivel vendi.
Ai theksoi se gjatë asaj kohe në Prishtinë ishin zhvilluar protesta të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Policia e Kosovës, sipas tij, kishte kryer detyrat e saj në përputhje me ligjin dhe në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues.
Qalaj ka nënvizuar se të gjitha veprimet policore janë realizuar në bazë të legjislacionit në fuqi, duke përfshirë Ligjin për Policinë, Ligjin për Tubimet Publike dhe dispozitat tjera ligjore.
Në fund të reagimit, ai bëri të ditur se është në konsultim me avokatin e tij dhe paralajmëroi padi ndaj Sadri Ramabajës për shpifje dhe fyerje, si ndaj tij personalisht, ashtu edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Po ashtu, ai tha se do të kërkojë kompensim material dhe se çdo mjet i përfituar nga kompensimi eventual do t’u dedikohet familjeve të policëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.