Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Reagim i Organizatës Shqiptaria

Reagim i Organizatës Shqiptaria

Organizata Shqiptaria shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj përfshirjes së eksponentëve të Islamit politik dhe figurave me qëndrime radikale fetaro-politike në listat zgjedhore të 7 qershorit, përfshirë edhe emra si Mulla Osman Musliu.
Kosova është ndërtuar mbi sakrificën kombëtare shqiptare, mbi idealin e lirisë, mbi orientimin euro-perëndimor dhe mbi parimin e shtetit laik e demokratik. Për këtë arsye, është e papranueshme që individë që për vite kanë përhapur diskurs përçarës, kanë sulmuar identitetin kombëtar shqiptar, kanë relativizuar figurat kombëtare dhe kanë nxitur intolerancë ndaj mendimit kritik, sot të promovohen si alternativa politike për qytetarët.
Shqiptarët nuk kanë derdhur gjak për ta kthyer Kosovën në arenë të ideologjive radikale fetare apo të projekteve që synojnë dobësimin e identitetit kombëtar dhe karakterit laik të shtetit. Çdo tentativë për ta përdorur fenë si instrument politik është goditje direkte ndaj kohezionit kombëtar dhe bashkëjetesës qytetare.
Veçanërisht alarmuese është normalizimi politik i individëve dhe qarqeve që për vite janë lidhur me retorikë ekstremiste, me sulme ndaj figurave kombëtare shqiptare, me gjuhë linçuese ndaj intelektualëve dhe aktivistëve laikë, si dhe me narrativa që kanë ndikuar në radikalizimin e një pjese të rinisë shqiptare.
Organizata Shqiptaria konsideron se partitë politike që hapin derën për këto elemente po bëjnë kompromis të rrezikshëm me të ardhmen e shtetit për interesa afatshkurtra elektorale. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi politike — është rrezik afatgjatë për demokracinë, sigurinë kombëtare dhe orientimin strategjik të Kosovës.
Ne ritheksojmë se Kosova duhet të mbetet shtet laik, demokratik dhe kombëtar shqiptar, ku politika nuk kontrollohet nga fanatizmi ideologjik apo ekstremizmi fetar, por nga vlerat e lirisë, dijes, qytetërimit dhe interesit kombëtar.
Organizata Shqiptaria do të vazhdojë të kundërshtojë çdo infiltrimin ideologjik që cenon identitetin kombëtar shqiptar, rendin demokratik dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.