Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Humbja është fati i pashmangshem i një jete politike

Humbja është fati i pashmangshem i një jete politike

Shkruan: Afrim Kasolli

Ekzistojnë mënyra të ndryshme, se si individët, grupet, formacionet shoqërore dhe politike mund ta humbin pushtetin e tyre. Pra si çdo gjë tjetër nè shoqëri edhe kjo kategori i nënshtrohet fillimit, zhvillimit, evoluimit, dhe fundit. Ky proces është inhrent për politikën.

Siç dihet ky fund mund të vjen nga zgjedhjet demokratike, vdekja e liderit, revolucionet, grushtshtetet dhe mund të realizohet ne mënyrë paqësore apo me gjakderdhje.

Shoqëritë që gjejnë forca morale, psikologjike, kulturore dhe politike, për ta instaluar “mesin e artë” e shmangur ekstremet, këtë kalim dhe transferim tw natyrshëm të pushtetit e shndërrojnë në katarsis për individët, rendin politik dhe sistemin social. Si pasojë e këtij kalimi ato bëhen më vibrante dhe dinamike.

Kurse ato që privohen nga kjo logjike, pushtohen nga cikli i urrejtjes, ndëshkimit dhe rrethi vicioz i stagnimit dhe konflikteve shterpe që i inhibojnë potencialet e një shoqërie.

Pra nuk ka pushtet që nuk i vjen fundi. Për më shumë çmimi i një jete të gjatë politike është vetëm humbja. Këtë logjikë të pashmangshme kemi pasur rastin ta shohim edhe në Kosovë. Ku pushteti duhet dorëzuar patjetër “kuajve” të ri të apokalipsit politik.

Kurse ekstimi që i pushton pushtetarët e rinj, nuk pasqyrohet nga asnjë pohim tjetër me mirë sesa nga një sentencë e huazuar nga filmi i njohur Sunshine, ku pasqyrohet jeta e tri gjeneratave të një familje hebreje në Hungari, fillimisht nën Perandorinë Austro-Hungareze, në shtetin e ri të Hungarisë, okupimin e nazist dhe në fund dominimin komunist, e që shprehet nga krye personazhi i filmit në këtë mënyrë emblematike, “Kam parë rënien e nje qeverisë pas qeverie tjetër, dhe të gjitha mendojnë se mund të zgjasin një mijë vjet. Secila e re gjithmonë e shpall të mëparshmen kriminale dhe të korruptuar, dhe gjithmonë premton një të ardhme plotë drejtësi dhe liri”.

Por edhe pse ky është fat i pashmangshëm megjithatë ata që e humbin atë befas pushtohen nga trazime, trandje psikologjike, kriza shpirtërore, depresione, trauma, ankth dhe frikë. Humbja e mundësive, privilegjeve dhe me kryesorja statusi i tè qenit VIP dhe shndërrimi ne NIP (non important person) siç thoshte Arben Xhaferi, nuk kalohet pa drama. Qenia i nënshtrohet një lehtësie tè padurueshme. Ku mërzia, kotèsia, ndenja e dikurshme e relevancès për veten davaritet, ku në fund cdo gjë shfaqet si një vegim i mbeshtjellur nga mugetira e errët.