Shkruan: Afrim Kasolli
Filozofi dhe mendimtari i njohur Ernst Cassirer e ka definuar njeriun si qenie simbolike. Pra sipas tij gjuha mitet, historia, besimet dhe tradita janë një medium shumë i rëndësishëm me anë të cilave ai lidhet me të tjerët si pjesë e një komuniteti.
Duket që këtë përkufizim antropologjik janë duke e përdorur më shumë se çdo kush tjetër në këtë fushatë zgjedhore, Albin Kurti dhe Vjosa Osamani.
Edhe pse zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata, realisht deri më tani vetëm i pari dhe e dyta i kanë marrë seriozisht zgjedhjet e jashtëzakonshme paralamentare të 7 Qershorit. Ndonëse deri në këto momente ende nuk është e qartë se në çfarë mënyre ish-presindentja Osmani do të marrë pjesë në këtë garë, nëpërmjet ndonjë nisme të saj të pavarur, a po do të rikthehet në shtëpinë e saj të vjetër politike, të cilën dikur e braktisi për hir të bashkpunimit me Albin Kurtin.
Sidoqoftë, si njëri ashtu edhe tjetra këtë fushatë e kanw nisur duke operuar me simbole të rëndësishme identitare. Para pak dite Qeveria e Albin Kurtit e nënshkroi një momerandum bashkëpunimi me Bashkësinë Islame me qëllim rindërtimin e xhamisë së Ibrit të shkaktërruar nga forcat paramilitare dhe policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky premtim ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe simbolike për një pjesë të komunitetit tonë. Rrënimi i atij objekti që daton që nga viti 1777 është parë si pjesë e strategjisë serbe për zhbërje të një trashëgimie identitare. Kurse ringritja e saj perceptohet nga si shenje triumfaliste e kësaj mbijetese kulturore dhe identitare.
Ndërkohë, sot Vjosa Osmani ka bërë të ditur se pjesë listës së saj elektorale do të jetë Fahrie Hoti nga fshati Krushe e Madhe. Dhe këtu nuk është fjala për Fahrijen si qenie konkrete, por për forcën simbolike qe ajo e përfaqëson. Kjo grua u be e njohur me themelimin e ndërmarrjes “Krusha” në të cilën janë të punësuara “pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Fahrije Hoti është nënë e dy fëmijëve dhe njëra nga 200 gratë e Krushës së Madhe që humbën bashkëshortët, djemtë ose të dy bashkë gjatë luftës së fundit”.
Prandaj, angazhimi i saj pas luftës shihet si simbol i forcës se gruas shqiptare për t’u ringritur edhe në kushte të pamundura.
Me këtë rekrutim Vjosa Osmani ka dashur ta transmetoi këtë mesazh publik, qe ajo do ta përfaqësojë edhe këtë simbol të rëndësishëm historik dhe kombëtar.
/TV Arberia