Al Nassr është detyruar të shtyjë ndeshjen e tyre të parë në Ligën Pro Saudite që kur konfirmoi ardhjen e superyllit portugez, Cristiano Ronaldo.
Ronaldo u prezantua zyrtarisht si lojtar i Al Nassr të martën pasi nënshkroi një kontratë dyvjeçare e gjysmë me skuadrën saudite, e cila e ka bërë 37-vjeçarin lojtarin më të paguar në historinë e futbollit.
Ronaldo filloi të stërvitet me klubin pas përfundimit të prezantimit në “Mrsool Park”, me fokusin e tij tani në përgatitjen e tij për një debutim të shumëpritur në Lindjen e Mesme, raporton KosovaPress.
Al-Nassr duhej të kthehej në aksion në Ligën Pro Saudite kundër Al-Ta’ee sonte, por klubi ka njoftuar se ndeshja është shtyrë për 24 orë për shkak të problemeve teknike në stadiumin e tyre të shkaktuara nga moti i ligë.
Në një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale të Al-Nassr thuhet: “Për shkak të shiut të dendur dhe kushteve të motit që kanë ndikuar në energjinë elektrike të stadiumit, ne jemi njoftuar zyrtarisht se ndeshja e sotme kundër Al Ta’i është shtyrë për 24 orë. Kërkojmë ndjesë për shqetësimet e shkaktuara fansave dhe i uroj të gjithëve udhëtime të sigurta”. /TV Arbëria