Qëndrim Kryeziu ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij për, siç e quan ai, “sabotim të një projekti strategjik energjetik” me kompaninë amerikane ContourGlobal.
Sipas Kryeziut, kundërshtimi i këtij investimi ka dëmtuar rëndë sigurinë energjetike të Kosovës dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë për qytetarët. Ai pretendon se përmes këtij projekti vendi do të çlirohej nga varësia energjetike dhe do të përfitonin edhe disa komuna përmes kogjenerimit.
Kryeziu ka kritikuar gjithashtu figura publike dhe politike, përfshirë Jeta Xharra, Haki Abazi dhe Visar Azemi, duke i akuzuar se kanë kundërshtuar projektin me argumente që ai i cilëson si të pabazuara.
Ai ka theksuar se pas dështimit të projektit, ndotja nga termocentralet ekzistuese është rritur, ndërsa çmimet e energjisë janë bërë, sipas tij, të papërballueshme për qytetarët. Në këtë kontekst, Kryeziu ka përmendur edhe përfitime të supozuara nga kompani të lidhura me biznesmenin Vuk Hamović dhe ambasadorin Martin Berishaj.
Ai ka shtuar se Kosova, për shkak të kësaj situate, është larguar nga partneritetet strategjike energjetike me Shtetet e Bashkuara, ndërsa vendet e rajonit, sipas tij, po avancojnë me investime të mëdha në sektorin energjetik.
Duke folur në kuadër të angazhimeve politike, Kryeziu është zotuar se, nëse merr përgjegjësi institucionale, do të iniciojë rikthimin e investimeve amerikane në sektorin e energjisë dhe do të rrisë mbikëqyrjen ndaj KEDS, me qëllim uljen e çmimeve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.