Basri Beka ka ngritur pikëpyetje serioze ndaj qëndrimeve të fundit të opozitës në Kosovë, e cila po përdor terma të fortë si “puç kushtetues” dhe “anarki” për të përshkruar situatën politike në vend.
Sipas Bekës, nëse opozita beson vërtet se rendi kushtetues është në rrezik, atëherë reagimi nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata publike dhe paraqitje mediatike. Ai thekson se në raste të tilla kërkohet veprim konkret institucional.
“Nëse kemi një kërcënim real ndaj rendit kushtetues, atëherë pse nuk po ftohet publikisht Prokuroria e Shtetit të Republikës së Kosovës që të veprojë ex officio? Pse nuk po dorëzohen kallëzime penale dhe pse nuk po kërkohen masa urgjente?”, ka deklaruar Beka.
Ai shton se përdorimi i termave të rëndë pa ndjekje konkrete ligjore rrezikon të banalizojë diskursin politik dhe të krijojë konfuzion te qytetarët.
“Fjalët si ‘puç’ dhe ‘anarki’ nuk janë thjesht retorikë. Ato kërkojnë pasoja dhe përgjegjësi. Përndryshe, mbeten vetëm slogane për konferenca dhe studio televizive”, theksoi ai.
Deklarata e Bekës vjen në një kohë tensionesh politike në vend, ku debati për legjitimitetin e veprimeve institucionale është intensifikuar, ndërsa thirrjet për përgjegjësi dhe transparencë janë bërë më të shpeshta.