Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë ka folur për zgjedhjet parlamentare të mbajtura në prill në Serbi dhe zgjedhjen e Shaip Kamberit si përfaqësues i shqiptarëve në parlamentin e Serbisë.
Arifi thotë se Shaip Kamberi nuk është përfaqësues i shqiptarëve, por i deleguar i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Arifi: E kemi një të deleguar nga Vuçiqi
“Shqiptarët nuk kanë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë, e kemi një të deleguar nga Vuçiqi, i cili e ka emrin Shaip Kamberi. Sepse ai nuk ka arritur të marrë pjesë prapë në listën që ka qenë e unifikuar në vitin 2020, kuptoni ju në Kosovë. Në vitin 2020 kemi arritur pas 30 viteve që të unifikohen shqiptarët për zgjedhjet parlamentare. Shumica e dinë, këtë e them me objektivitet që kam qenë një nga njerëzit që kam kontribuar maksimalisht në këtë drejtim. Por, Shaip Kamberi me megalominë e tij të cilën e ka ndërtuar aty në parlament, në vitin 2022 nuk ka pasur interes që të hyjmë në një listë të përbashkët që e kemi pasur në vitin 2020. Edhe është dënuar me votë, sepse u deshtë pesë-gjashtë herë më u prish një vendvotim vetëm e vetëm që të ia mundësojë Vuçiqi të shkojë Shaip Kamberi në parlament. Me pa qenë i pakënaqur Vuçiqi me politikat e Shaip Kamberit në parlament, ai nuk kishte bërë asgjë në gjyqe”, deklaron ai.
Kujtojmë që në zgjedhjet e 3 prillit, shqiptarët e Luginës kanë garuar me dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.
/TV Malisheva