Ekspertët shëndetësorë shprehën shqetësim të mërkurën për rritjen e shpejtë të variantit te ri të Omicron XBB.1.5
Gjatë muajit dhjetor, përqindja e infeksioneve të reja COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të shkaktuara nga XBB.1.5 u rrit nga rreth 4% në 41%.
“Kjo është një rritje e pabesueshme,” – u shpreh koordinatori i përgjigjes kundër COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë.
Drejtuesia teknike e OBSH-së për COVID-19 vuri në dukje se XBB.1.5, i cili u zbulua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, është përhapur në të paktën 29 vende dhe “është forma më e transmetueshme e Omicron deri më sot”.
“Ne presim valë të tjera të infeksionit në mbarë botën, por kjo nuk duhet të përkthehet në valë të mëtejshme vdekjesh sepse kundërmasat tona vazhdojnë të funksionojnë,” – tha ajo.
“Së shpejti do të kemi më shumë të dhëna se sa efektive janë vaksinat ndaj XBB.1.5.,” – u shpreh koordinatori i përgjigjes kundër COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë duke sugjeruar se kërkimi për të përcaktuar efektivitetin e vaksinës kundër këtij varianti është duke u zhvilluar.
Varianti i fundit i COVID-19 nuk duket se shkakton sëmundje më serioze se paraardhësit e tij, thonë ekspertët. Por duket se është rreth pesë herë më ngjitës se një variant i mëparshëm Omicron.
Ndërkohë një ditë më parë zyrtarët e qeverive të Bashkimit Evropian rekomanduan që pasagjerët që udhëtojnë nga Kina për në BE duhet të kenë test negativ për koronavirus, para se të nisen për në Evropë.
Ky rekomandim vjen në kohën kur Pekini po përgatitet të lehtësojë masat e udhëtimit, pavarësisht se shteti po përballet me një valë të re të infektimeve me COVID-19.
Testin negativ për udhëtarët nga Kina aktualisht e kërkojnë autoritetet në Spanjë, Francë dhe Itali.
Rastet me COVID-19 fillimisht u regjistruar në fund të vitit 2019 në Kinë. Që atëherë, ky virus ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën. /TV Arbëria