SHKRUAN: Basri Beka
Kriza politike në Kosovë rreth zgjedhjes së Presidentit po e zbulon në mënyrën më brutale mjerimin e klasës sonë politike. Çdo ditë dalin oferta, kundëroferta, deklarata, “kompromise historike”, emra të rinj dhe pazare të reja. Por në gjithë këtë zhurmë politike mungon një gjë themelore: debati për shtetin.
Askush nuk po flet për standardin e qeverisjes. Askush nuk po flet për vizionin institucional. Askush nuk po flet për çfarë Republike po ndërtohet.
Krejt debati është reduktuar në emra.
Njëri thotë: “na jepni votat”.
Tjetri përgjigjet: “propozojmë këtë kandidat”.
Njëri kërkon 90 vota.
Tjetri kërkon 66 vota.
Njëri flet për stabilitet.
Tjetri për bllokadë.
Por askush nuk flet për përmbajtjen politike të kësaj krize.
Ky është degradim i politikës.
Kur posti i Presidentit reduktohet në objekt pazari, atëherë institucioni ka humbur peshën morale dhe kushtetuese. Presidenti nuk duhet të jetë produkt i tregtisë politike. Nuk duhet të jetë rezultat i matematikës së frikës dhe kalkulimeve për mbijetesë pushteti. Ai duhet të jetë reflektim i një standardi shtetëror dhe institucional.
Por në Kosovë, edhe posti më i lartë i shtetit po trajtohet si tavolinë negocimi.
Njëra palë nxjerr emra sikur po zgjedh drejtor ndërmarrjeje. Tjetra refuzon emra jo për parime shtetërore, por për interesa pozicionimi politik. Dhe në mes të gjithë kësaj, qytetari sheh një elitë politike që nuk diskuton për shtetin, por për kontrollin mbi shtetin.
Këtu qëndron tragedia reale.
Sepse problemi nuk është vetëm kush do të bëhet President. Problemi është se kjo klasë politike nuk po prodhon më ide, standarde dhe vizion. Po prodhon vetëm menaxhim krize dhe marketing politik.
Në vend që të debatohet për drejtësinë, ekonominë, kapjen e institucioneve, standardin demokratik apo modelin e zhvillimit të vendit, politika është ngujuar në një cirk emrash dhe numrash.
Kjo nuk është politikë shtetformuese. Kjo është administrim i interesave të pushtetit.
Dhe pastaj habitemi pse qytetarët po humbin besimin në demokraci.
Si të mos e humbin?
Kur shohin se posti i Presidentit nuk trajtohet si barrë shtetërore, por si monedhë pazari. Kur shohin se “kompromisi” nuk ndërtohet mbi parime, por mbi kalkulime. Kur shohin se krejt energjia politike harxhohet për emra, ndërsa askush nuk flet për standardin e qeverisjes.
Në fund, kjo krizë po e zbulon një të vërtetë të hidhur: problemi më i madh i Kosovës nuk është mungesa e votave për President.
Problemi është mungesa e kulturës shtetërore në politikë.