Janina Ymeri ka reaguar në Facebook duke kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për, sipas saj, përpjekje për të marrë pushtet absolut dhe për të shmangur procedurat institucionale.
Ajo shkruan se po mbahen seancë pas seance në Kuvend, ku sipas saj po shpenzohen mijëra euro për çdo seancë, me qëllim që të anashkalohen procedurat për disa çështje të rëndësishme.
Sipas Ymerit, një nga synimet është marrja e parave nga ndërmarrjet publike për t’i kthyer ato në para “cash”, të cilat sipas saj mund të përdoren për transfere para zgjedhjeve.
Ajo kritikon edhe Ligjin për Energjinë, duke pretenduar se ai favorizon kompaninë KEDS dhe mundëson kalimin e pronave ku ndodhen stabilimentet e saj, si dhe i jep mundësi Ministrisë së Ekonomisë që në raste të caktuara të zhvlerësojë rolin e ZRRE-së.
Po ashtu, Ymeri përmend edhe Ligjin për Energjinë Elektrike, për të cilin thotë se mundëson kalimin e KOSTT në Ministrinë e Infrastrukturës, institucion që sipas saj lidhet ngushtë me çështje të sigurisë kombëtare dhe me ndikimet e mundshme të Serbisë në tregtinë energjetike.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur debatet për projektligjet në sektorin e energjisë dhe rolin e institucioneve përkatëse kanë shkaktuar polemika të shumta në skenën politike në Kosovë.