Shruan:Basri Beka
Pa u futur me dëshirë në debat politik, por duke iu kthyer një parimi të vjetër aristotelian se njeriu është qenie politike, është e pamundur të mos reflektoj mbi një debat që prek vetë themelin e shtetit.
Një shkrim i z. Boiken Abazi, i dërguar nga miku im profesor Ramabaja, më shtyu të lexoj dhe të mendoj më thellë mbi mënyrën se si ne, si shoqëri shqiptare — këtu, në shtetin amë, në diasporë apo gjetkë — shpesh vuajmë nga mungesa e kujtesës historike dhe nga prirja për ta analizuar shtetin sikur ai të ishte ndërtuar në kushte ideale, të shkëputura nga realiteti i krijimit të tij.
Shpesh harrojmë se Kosova nuk është produkt i një evolucioni klasik shtetformues, por rezultat i një procesi të veçantë historik dhe ndërkombëtar pas luftës në Kosovë, i mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara dhe i formësuar përmes planit të Martti Ahtisaari. Ky realitet e bën të domosdoshme që çdo analizë e institucioneve të saj të lidhet me rrethanat e krijimit të shtetit, e jo me modele abstrakte të shteteve historikisht të konsoliduara.
Për këtë arsye, krahasimet me raste si Greqia apo me demokraci të tjera evropiane janë metodologjikisht të dobëta. Greqia është një shtet me sovranitet historik të konsoliduar dhe me zhvillim të brendshëm institucional, ndërsa Kosova është një shtet i ndërtuar mbi një kompromis ndërkombëtar, ku vetë arkitektura kushtetuese është pjesë e marrëveshjes që mundësoi ekzistencën e saj si shtet.
Në këtë kuptim, debati mbi zgjedhjen e presidentit apo mbi mekanizmat kushtetues nuk mund të shkëputet nga ky realitet themelor. Interpretimet që e paraqesin sistemin si një “devijim nga shinat” shpesh anashkalojnë faktin se vetë “shinat” janë produkt i një kompromisi të ndjeshëm ndërkombëtar dhe jo i një modeli klasik parlamentar të pastër.
Nuk mendoj se Kosova ka dalë nga një rend i konsoliduar për t’u “kthyer në normalitet”, sepse ajo ende funksionon brenda tensionit tipik të çdo shteti post-konfliktual: midis shumicës demokratike dhe nevojës për garanci institucionale që ruajnë stabilitetin politik dhe etnik.
Sa u përket vizioneve afatgjata — si ideja e një republike të tretë apo e një federate shqiptare — ato mund të mbeten horizonte politike, ideale apo aspirata kombëtare. Por, në rrethanat aktuale, pa prosperim ekonomik, kulturor e ushtarak, si dhe pa një kohezion më të fortë kombëtar, ato mbeten më shumë projeksione teorike sesa projekte realisht të realizueshme pa ndryshime të thella gjeopolitike.
Dhe pikërisht këtu duhet thënë qartë: çdo ndryshim i këtij rendi nuk varet nga interpretime teorike apo krahasime të jashtme, por nga realiteti i sigurisë dhe stabilitetit në terren. Aktualisht, vetëm një aventurë destabilizuese nga ana e Serbis — e ngjashme me sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023 — mund të krijojë tronditje të tilla që do të hapnin edhe çështje më të gjera të sistemit dhe të arkitekturës kushtetuese.
Historia e rajonit tregon se transformime të tilla nuk ndodhin në mënyrë lineare apo të butë, por shpesh përmes krizave të mëdha, me pasoja të paparashikueshme.
Prandaj, çdo analizë serioze duhet të nisë nga realiteti historik dhe juridik i krijimit të shtetit, e jo nga krahasime të shkëputura që injorojnë kushtet në të cilat ai është formuar.