Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Opozita nuk ekziston për ta shpëtuar pushtetin e Albin Kurtit

Opozita nuk ekziston për ta shpëtuar pushtetin e Albin Kurtit

Shkruan: Basri Beka

Sot Albin Kurti, gjeniu i marketingut politik dhe mjeshtri i sofizmit publik, doli me një tjetër “ofertë historike” për opozitën: “propozoni tre emra për President dhe njërin prej tyre e zgjedhim”.
Pra, pasi nuk arriti t’i sigurojë votat, pasi e futi vendin në bllokadë institucionale dhe pasi e shndërroi krizën politike në serial propagandistik, tani del si moralist kombëtar duke ua hedhur fajin të tjerëve.
Kjo është thelbi i manipulimit të tij: e krijon krizën vetë, pastaj paraqitet si shpëtimtar i krizës.
Por këtu ka një problem themelor që Kurti ose nuk e kupton, ose bën sikur nuk e kupton: opozita nuk ekziston për ta stabilizuar pushtetin e tij. Opozita ekziston për ta rrëzuar pushtetin dhe për t’u bërë vetë pozitë.
Kjo është logjika bazë e demokracisë.
Detyra e pozitës është të qëndrojë në pushtet.
Detyra e opozitës është ta marrë pushtetin.
Opozita nuk është departament ndihmës i qeverisë. Nuk është mekanizëm shpëtimi për dështimet e Albin Kurtit. Nuk është e obliguar t’ia zgjedhë Presidentin, t’ia mbulojë paaftësinë politike apo t’ia zgjidhë krizën që vetë e prodhoi.
Madje, kur ekziston mundësia për zgjedhje, është krejt normale që opozita ta kërkojë atë rrugë. Nuk është turp të kërkosh zgjedhje. Turp është të mos i duash zgjedhjet sepse ke frikë nga rezultati.
Kurti mundohet ta paraqesë këtë si papërgjegjësi të opozitës. Në realitet, kjo është frika e tij nga dinamika demokratike. Dikur ai jetonte politikisht nga zgjedhjet e parakohshme. Sot i sheh ato si kërcënim.
Ironia është : njeriu që dikur e bllokonte sistemin me gaz lotsjellës në emër të “vullnetit të popullit”, sot mban ligjërata për stabilitet institucional.
Pastaj vjen sofizmi tjetër klasik i tij: “ne po bëjmë oferta gjeneroze”. Jo. Këto nuk janë oferta gjeneroze. Këto janë tentativa për të mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe për ta transferuar barrën e krizës te opozita.
Ai kërkon që opozita të propozojë kandidatë, sipas kritereve që i cakton vetë ai. Pra, edhe kur “lëshon pe”, kontrollin nuk e lëshon kurrë. Ky nuk është kompromis. Ky është manipulim i paketuar si kompromis.
Në fund, Albin Kurti po bën atë që di më së miri: propagandë morale. Ai mundohet ta paraqesë veten si viktimë të opozitës, ndërsa opozitën si armike të shtetit.
Por shteti nuk është Albin Kurti.
Demokracia nuk funksionon me logjikën: ose pranoni kushtet e mia, ose jeni fajtorë për krizën. Kjo është logjikë e shantazhit politik, jo e demokracisë pluraliste.
Në fund të fundit, opozita ka vetëm një detyrë historike: ta heqë shkronjën “O” nga fjala opozitë dhe të bëhet pozitë.
Ndërsa detyra e pozitës është të mos lejojë që fjala “pozitë” t’i humbasë shkronjën e saj më të rëndësishme: pushtetin.
Dhe pikërisht këtë frikë po e tradhton sot Albin Kurti.
Megjithatë fati i Albin Kurtit jan kundërshtaret e tije politik sepse kan dembeli në mendje!