Astrit Gashi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për, siç e cilëson ai, mungesë reagimi në mbrojtje të figurës së Hashim Thaçi.
Sipas Gashit, PDK “nga sot nuk është më subjekt politik, por një kufomë politike”, duke e lidhur këtë me heshtjen e deputetëve të saj në momentet kur, sipas tij, është cenuar dinjiteti i Thaçit – një figurë që ai e përshkruan si simbol të një etape të rëndësishme historike për vendin.
Ai thekson se heshtja në Parlament nuk mund të interpretohet si neutralitet, por si dorëzim dhe braktisje. “Është poshtërim kur grupi parlamentar, i udhëhequr nga një servil i kryetarit, nuk kërkon seancë urgjente për përjashtimin e Fatos Geci nga Parlamenti i Kosovës,” deklaron Gashi.
Në reagimin e tij, ai ngre pyetje të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të PDK-së: pse nuk kërkojnë përjashtimin e menjëhershëm të atyre që përdorin gjuhë fyese dhe pse nuk reagojnë kur, sipas tij, ofendohet një nga drejtuesit politikë të UÇK-së dhe ish-lideri i tyre.
Gashi shkon më tej duke thënë se kjo nuk është më një çështje politike, por një çështje dinjiteti. “Një parti që nuk mbron figurën e vet themeluese dhe nuk reagon kur shkelet mbi historinë e saj, ka humbur jo vetëm busullën politike, por edhe minimumin e integritetit moral,” thekson ai.
Në fund, ai përfundon me një mesazh të ashpër ndaj kësaj force politike: “Kur një parti kapitullon përballë fyerjes, ajo nuk përfaqëson më askënd. Turpi ju mbuloftë.”