Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar në Facebook për rritjen e çmimeve në Kosovë, duke bërë një krahasim mes vitit 2020 dhe vitit 2026 për disa produkte bazë.
Sipas tij, shtrenjtimi i jetës është bërë shumë i rëndë për qytetarët, pasi çmimet janë rritur shumë më shpejt se sa pagat.
Ai jep disa shembuj konkretë:
- Në vitin 2020, çmimi i bukës në të njëjtën furrë ishte 30 cent, ndërsa në vitin 2026 është 60 cent.
- Çmimi i mishit nga 6 euro ka shkuar në 17 euro.
- Ndërsa energjia elektrike nga mesatarisht 0.06 euro për kWh ka arritur në 0.12 euro për kWh.
Ndërkohë, sipas krahasimit të tij, paga mesatare në Kosovë është rritur nga 416 euro në vitin 2020 në rreth 580 euro në vitin 2026.
Kelmendi thekson se, nëse bëhet përllogaritja me pagën mesatare, fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë dukshëm.
“Para gjashtë vjetësh me një rrogë mund të blije 1,387 bukë, ndërsa sot vetëm 967 bukë – plot 420 bukë më pak. Para gjashtë vjetësh me një rrogë mund të blije 69 kilogramë mish, ndërsa sot vetëm 34 kilogramë, ose 35 kilogramë më pak. Edhe për energjinë elektrike, nga 6,933 kWh sa bliheshin më parë, sot mund të blihen vetëm 4,833 kWh”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, Kelmendi u drejtohet qytetarëve me pyetjen: “A ia shtine lapsin?”