Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mobilizimi permanent i Albin Kurtit

Mobilizimi permanent i Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli

Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetevendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për temën e Presidentit/es së re të shtetit dje përfundua pa sukses.

Po ashtu, pas refuzimit të Albin Kurtit për t’i bërë ftesë zyrtare Partisë Demokratike të Kosovës, edhe ky subjekt pas mbledhjes së Këshillit Drejtues e bëri të ditur se ajo i konsideron te mbyllura tash e tutje diskutimet e mëtutjeshme mbi këtë temë.

Në këtë kontekst, thujase asnjë opsion tjetër nuk ka mbetur në tavolinë përpos zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare të cilat duhet të mbahen më së largu 45 ditë nga afati i përcaktuar nga Gjyakata Kushtetuese për votimin e Presidentit/es.

Te gjitha palët e involvuara në këtë proces thuajse njëzëri e bënë te ditur se Albin Kurti nuk ka pranuar që Lëvizja Vetëvendosje ta sakrifikojë pozitën e Presidentit për një emër që del jashtë Lëvizjes Vetevendosje, pas refuzimit të njërit nga anëtarët e Familjes Jashari që ta pranojë këtë detyrë.

Madje këtë pozicion e pranoi edhe vetë kryeministri. Ne rrethana tjera çdo lider tjetër me fitorën që e ka siguruar Albin Kurti, as që do ta diskutonte pozitën e Presidentit. Duke qenë se në sistemin juridik dhe politik të Kosovës qendra e pushtetit kryesisht graviton në masë të madhe në favor të Kuvendit dhe Qeverisë, do të pajtohej me lehtësi të padurueshme ta tejkalonte këtë sfidë, vetëm që të fokusohej i tëri në qeverisje. Por ja që Albin Kurti në vend të shfyrtezimit të kësaj mundesie ideale që ia kanë ofruar qytetarët e Kosovës, ai po e përdor këtë temë për t’i tortuarar edhe një herë ata duke i detyrar të dalin në kutitë e votimit me shpresën se do të fitojë edhe më shumë pushtet nga denigrimi eventual i opozitës si fajtore për bllokadën, ashtu siç kishte ndodhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme paralmanentare të 28 dhjetorit.

Këto driblime të Albin Kurtit nuk janë të rastësishme. Ato mbase burojnë nga konsideretat e tij për të kërkuar pushtet për hir të pushtetit. Dhe se të njëjtin ai e kërkon ta fitojë jo me ane të stabilizimit të jetës politike dhe institucionale, ngase proza e qeverisjes po shihet gjithnjë e më tepër një teren jo atraktiv për të, por me anë të poezisë së mobilizimit permanent elektoral.

 

Prandaj, edhe synimi i tij shihet qartë se është sesi ta mbajë vazhdimisht situatën pezull dhe në lëvizje konstante, sipas mentalitetit trockist të “revolucionit permanent”, deri në një fitore “absolute përfundimtare”, ku ka mundësi ta mirëmbajë në epiqendër të jetës politike vetveten, në vend funksionimit normal të institucioneve.

 

Natyrisht, me anë të këtyre veprimeve ai pretendon t’i lodh edhe rraskapit edhe më shumë partite opozitare, duke marrë parasysh fragmentarizimin e tyre. Sepse sa me shpesh që mbahen zgjedhjet dhe ato do ta kenë perafersisht të njëjtin bilanc, aq më tepër krijohet përshtypja psiko-sociale se rezistenca tashmë është e pamundur dhe se e tëra që u ka mbetur në dispozicion qytetarëve të Kosovës është adaptimi dhe përshtatja me “regjimin e ri”. Pra në instance të fundit duke dashur t’i diskreditoje subjektet opozitare, po ashtu Albin Kurti tenton t’i lodh edhe qytetarët e Kosovës në mënyrë që ata te mos shohin asnjë opsion tjetër alternativë pos tij.

Mbetet në strategjinë e subjekteve opozitare se a do të veprojnë si deri me tani duke shkuar prapa qerres se tij politike, apo do ta ndërrojnë qasjen e tyre për t’u përballur me këtë formë te ushtrimit të pushtetit që e mban gjendjen në kufijtë e një trysnie ekstreme dhe e kultivon një atmosferë konstante të jashtëzakonshme politike.