Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ANTI-NORMALIZIMI

ANTI-NORMALIZIMI

SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
Kori i retorikës shoviniste serbe (Vuçiq, Daçiq, Petkoviq, Odalloviq, Nikoliq), i përforcuar nga akademia (Radojkoviq, Gogiq, Trajkoviq) dhe shoqëria civile (Rakiq) në 13 vjetorin e Marrëveshjes mbi Normalizimin e Marrëdhënieve, është një “shfaqje e përsëritur” e komunikimit strategjik kundër Kosovës, që e shmang qëllimshëm thelbin e problemit.
Duke “harruar” se vetë e kishin kërkuar shqyrtimin e pavarësisë nga GJND-ja, “ankohen e akuzojnë” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa vazhdojnë ta refuzojnë kornizën e tij politike (Republikën e Kosovës), të konfirmuar nga institucioni më i lartë juridik i OKB-së.
Ironike, djallëzore e mashtruese ndaj vetë serbëve.
Një strategji perfide për “kalin e Trojës” në Kosovë, por pa e pranuar realitetin e pavarësisë.
Ky është projeksioni i Serbisë për “normalizimin”: duke e minuar Republikën e Kosovës dhe duke ligjëruar sundimin serb mbi Kosovën.
Një qasje hegjemoniste në luftën narrative, që synon më shumë se një Republikë Serbe në Kosovë.
Një qëllim i dekonstruktuar kaherë, i cili në thelb provokon “anti-normalizimin” përmes një proxy tjetër legal (krahas Listës Serbe) në funksion të rrënimit të shtetit.
“Vajtojnë” për Asociacionin, duke e kornizuar qëllimshëm si mekanizëm etnik (jo me shumicë serbe) për “t’i mbrojtur” ata, por pa e njohur kornizën juridike nën të cilën do të funksiononte ai.
Kjo do të thotë përpjekje për një levë tjetër taktike kundër Kosovës, pa e njohur Kosovën.
Një retorikë provokuese që ushqen tension, ndarje etnike e destabilizim, duke kërcënuar seriozisht paqen dhe sigurinë rajonale.
Kur kësaj ia shtojmë edhe nismën e partisë pro-serbe në Mal të zi (DNP) për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”, si dhe reagimin e fuqishëm të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) atje, rreziku bëhet më real e me premisa të qarta të përshkallëzimit.
E nëse kjo është qasja e Vuçiqit si zgjatim i politikës së Millosheviqit, është e pafalshme që në korin shovinist të vazhdojnë edhe më tutje “profesorë, historianë, studiues e aktivistë të shoqërisë civile”.