Shkruan: Afrim Kasolli
Tashmë nuk është spekulim. As thashethemnaje e retorikës ditore. Por ideja e këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ekzistuar si mundësi reale. Dhe është negociuar për këtë skenar hiç më pak se në zyrën e ish-kryedimplomates së BE-se, Fredrika Mogerini, nën drejtimin e së cilës është menaxhuar dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Këtë fakt e pranoi hapur dhe publikisht në një bashkëbisedim me Veton Surroin, Blerim Shala ish-keshilltar i ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Sipas tij “ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë e lidhur ngushtë me njohjen formale reciproke mes dy shteteve”. Për Shalën ky, “propozimi ishte i ndërtuar mbi parimin që fillimisht të ndodhte njohja formale, e më pas të diskutohej për korrigjimin e kufijve në mënyrë paqësore, në përputhje me parimet ndërkombëtare”.
Origjina e këtij projekti, vazhdon publisiti Shala ishte e lidhur me angazhimin e diplomatit amerikan Wess Mitchell, me synimin për të larguar ndikimin rus nga Serbia. Me pastaj u etablua në zyrën e Mogherinit. Intenca e këtij kembimi territorial ishte që një pjese e Veriut t’i kalonte Serbisë, kurse një pjesë e Luginës së Preshevës do t’i bashkangjitej Kosovës. Ndonëse i njëjti nuk tregoi saktësisht se nga do t’i binte vija kufitare ndërmjet dy vendeve.
Natyrisht, kjo ide u diskreditua si nga kundërshtimi i ashpër brenda vendit, por edhe nga rezistenca e pakompromis veçanërisht e Gjermanisë dhe deri dikund të Britanisë së Madhe. Avokati kryesor i kësaj nisme në Kosovë ishte ish- Presidenti Thaçi. Kurse nder oponentët me të zëshëm në atë kohë, ndaj këtij skenari ishin Ramush Haredinaj dhe Albin Kurti.
Sidoqoftë, pas dështimit të këtij projekti, Kosova nën drejtimin e Albin Kurtit u pajtua për planin franko-gjerman i kodifikuar në kuadër të Marrëveshjes bazë të Brukselit si dhe Aneksin e Zbatimit të dakorduar në Ohër. Këtë pajtim Albin Kurti ka tentuar ta shes si njohje de facto të Kosovës benda kufijve të saj zyrtar nga Serbia.
Ndërkohë, Prishtina është zotuar që në kembim të këtij “pranimi” ta implementojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe të cilësuar tash si Vetmenaxhim. Ndonëse, sipas qëndrimit zyrtar të ndërmjetësuesit, pra zyrës për Politike të Jashtme dhe Siguri të BE-se, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me njohje reciproke, por me normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pa ndonjë afat të qartë se kur do të mund të përfundoje.
Zhvillime të tilla tregojnë se Kosova që nga viti 2018 e kendej ka levizur ndërmjet dy koncepteve për Marrëveshje me Serbinë.
Fillimisht nga projekti i Hashim Thaçit për këmbim të territoreve. Dhe i dyti i Albin Kurtit për forcim të kompetencave të komunitetit serb në Kosovë brenda kufijve aktual te shtetit, si parakusht për normalizim të raporteve. Se cili do të jetë me i dobishëm për Kosovën mbetet te shihet. Ende nuk jemi në fund të historisë.
Prandaj, kur te marre epilog ky proces, që nuk dihet saktësisht se kur, mbase do të mund te kuptohet se kujt do t’i jap të drejtë historia, Hashim Thaçit, apo Albin Kurtit?