Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Çmimet e larta, Shahini: Qeveria po e menaxhon krizën në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve

Çmimet e larta, Shahini: Qeveria po e menaxhon krizën në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në përballje me krizën ekonomike, duke theksuar se deri më tani masat e ndërmarra nga kjo e fundit kanë rënduar bizneset dhe jetën e qytetarëve, pa ofruar zgjidhje konkrete për konsumatorin.

Shahini në një intervistë për Ekonomia Online deklaroi se shteti ka shumë mekanizma në dispozicion, por Qeveria vazhdimisht ka zgjedhur të ndërhyjë duke limituar fitimin e bizneseve, ndërkohë që nuk ka bërë asgjë konkrete për të mbrojtur konsumatorin.

“Shteti ka shumë mekanizma të cilët mund të ndërmerr. Deri më tani Qeveria e vendit gjithmonë ka ndërmarrë hapa në kurriz të bizneseve duke limituar fitimin, dhe duke mos bërë asgjë për konsumatorin si shtet. Tash duhet ndërmarrë hapa konkretë për t’u ballafaquar me krizën. Projektligji për çmimet tavan i cili është në diskutime e sipër, ka plot mangësi; ai nuk duhet të jetë udhërrëfyes i zhvillimit ekonomik të Kosovës, por duhet të jetë kontrollues në raste të jashtëzakonshme kur është gjendja e jashtëzakonshme. Prandaj Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ulë TVSH-në, asnjë hap për të heqë akcizën në derivate, përkundrazi është shtrenjtuar energjia elektrike dhe të gjitha këto e kanë bërë jetën më të vështirë, më të shtrenjtë për qytetarin dhe konsumatorin kosovar”, tha Shahini.