Shkruan: Afrim Kasolli
Ka kohë që kundërsharët politikë të Albin Kurtit e kanë definuar “regjimin e ri” si autokratik. Se ai tashmë i ngjason modelit që e kishte instaluar kryeministri në shkuarje Viktor Orban në Hungari, apo presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan. Këto shtete, ndonëse ka edhe tjera, janë demokratike, megjithatë nuk janë liberale.
I tërë sistemi plekset në funksion të partisë dominuese në shtet. Të njëjtit me të marrë pushtetin e nisin procesin e ndryshimit të ligjit zgjedhor, në mënyrë që ky i fundit të përshtatet për t’ia garantuar fitoren e “përhershme” partisë që e drejton qeverinë. Bie fjala, siç ka vënë ne pah, Lorinc Redei, në shkrimin, “How Orbán Defeated Himself-Lessons From Hungary for Pro-Democracy Movements Worldwide” kur në vitin 2010, Fidesz erdhi në pushtet ajo kishte fituar 53 për qind të trupit elektoral. Mirëpo, katër vjet më vonë, e njëjta kishte fituar vetëm 45 për qind të votave, por e gëzonte të njëjtin numër të deputetëve në Parlament për shkak të ndryshimeve që kishin ndodhur në sistemin elektoral. Hapi tjetër i në drejtim të konsolidimit të këtij modeli autokratik të pushtetit mbesin ndryshimet kushtetuese si dhe emërimi i njerëzve besnik në pozitat kyçe shtetërorë sikur, Gjykata Kushtetuese, Prokurori etij. Kjo shtrirje e tentakulave të pushtetit nuk ndalet me kaq. Ndër ndryshimet tjera mbetet presioni financiar mbi mediat, deri sa pronarët e tyre të detyrohen t’i transferojnë asetet e tyre tek oligarkët e ri të regjimit.
Veprime të tilla tregojnë në masë të madhe se “regjimi i ri” i Albin Kurtit dallon nga këto regjime autokratike. Ai nuk ka ndërmarr asnjë veprim për ta përshtatur sistemin zgjedhor sipas interesave të tij. Përkundrazi, ndryshimet e ligjit zgjedhor në mandatin e kaluar u drejtuan nga partitë opozitare. Po ashtu, ndryshime kushtetuese nuk kanë ndodhur. Në anën tjetër për shkak të arkitekturës së sistemit juridik dhe politik në Kosovë, mbase kjo edhe është e pamundur të ndodh. Ndërkohë, nuk ka asnjë dëshmi që disa prej mediave kryesore kritike të Albin Kurtit kanë kaluar në duart e oligarkëve të tij. Përkundrazi, kryeministri u ka shpallur luftë disa herë atyre. Madje edhe më shumë se sa opozitës. Lëvizje taktike kjo që nuk është e rastësishme. Sepse duke aminsituar opozitën, kjo ndjehet komode në regjimin e ri dhe kështu demobilizohet. Kurse mediat pavarësisht tensioneve që mund të kenë me pushtetin, nuk mund të prodhojnë mobilizim politik nëse mungojnë agjentët partiake. Aq ka pasur efekt psikologjik kjo fushatë e tij kundër mediave, sa ato po cilësohen edhe nga partitë opozitare s si përgjegjëse se përse këto të fundit i humbën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare me 28 dhjetor.
Ky krahasim tregon se modeli i pushtetit të Albin Kurtit nuk është autokratik sipas shembujve të sipër cekur. Kjo nuk do të thotë se i pari nuk ka prirje të tilla personale politike, por kjo është tjetër temë. Sepse këtu është fjala a ka ndryshuar sistemi për t’i akomoduar këto shtytje psiko-politike. Madje se një pjesë e opozitës nuk e ka telashe autokracinë në vetvete e dëshmon simpatia e tyre për Edi Ramën. Ne fund të fundit, regjimi i këtij të fundit, sipas të dhënave të të raportit vjetor të organizatës V-Dem nga Universiteti i Gothenburgut, tashmë është autokraci elektorale, në dallim nga Kosova që vazhdon të mbetet demokraci elektorale. Prandaj, sikur të njëjtat mirëfilli të ishin të preokupuara ta mbronin demokracinë nga rreziku i autokracisë, aktualisht “regjimi i Kurtit” është mw i avancuar sesa ai Edi Ramës. Ndonëse asnjëri prej të dy vendeve nuk është demokraci liberale.
Sidoqoftë, kjo nuk e bënë Kurtin si shembull të modelit demokratik. Por ajo që ai po e instalon prej se ka ardhur në pushtet i ngjason klientelizimt dhe patronazhit politik mbi atë sistem që e ka trashëguar. Tendencë kjo që po shpërfaqet me të madhe edhe këto ditë. Mirëpo, problemi është se kjo trashëgimi është kultivuar edhe nga partitë e “regjimit të vjetër”. Madje organizimet e tyre të brendshme partiake edhe sot e kësaj dite në masë të madhe funksionojnë sipas frymës së lidhjeve familjare e kultit të fisit. Duke treguar në këtë mënyrë se ato nuk kanë ndryshuar asgjë, çfarë edhe po ndikon që të diskreditohet kritika e tyre ndaj regjimit klientelist të Albin Kurtit.