Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Premtimet për naftë të lirë për bujqit u shndërruan në privilegje për pushtetin

Kryeziu: Premtimet për naftë të lirë për bujqit u shndërruan në privilegje për pushtetin

Qendrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ai, mospërmbushjes së premtimeve për uljen e çmimit të naftës për bujqit nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas Kryeziut, deklaratat e dikurshme të Kurtit, kur ishte në opozitë, për heqjen e TVSH-së dhe akcizës për naftën e bujqve, sot janë në kontrast të plotë me realitetin në terren.

“Të gjithë e mbajmë mend propagandën e tij, kur premtonte se nafta për bujkun do të ishte shumëfish më e lirë sesa për xhipat e pushtetarëve. Sot po ndodh e kundërta – bujqit po përballen me çmime të papërballueshme, ndërsa zyrtarët furnizohen më lirë,” ka deklaruar Kryeziu.

Ai thekson se çmimet e larta të derivateve kanë ndikuar që shumë toka bujqësore të mbesin djerrë, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e sektorit të bujqësisë.

Po ashtu, Kryeziu ka ngritur shqetësim për mungesë transparence nga institucionet. Sipas tij, për më shumë se dy javë, ekzekutivi nuk ka dhënë përgjigje lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike për të sqaruar furnitorët dhe çmimet preferenciale të naftës për zyrtarët shtetërorë.

“Mosbërja publike e këtyre kontratave dhe shmangia e përgjigjeve vetëm sa rrit dyshimet për abuzim dhe favore të padrejta,” është shprehur ai.

Në fund, Kryeziu paralajmëron se praktika të tilla, nëse vazhdojnë, mund të dëmtojnë rëndë qytetarët e zakonshëm dhe të krijojnë pabarazi në treg, duke favorizuar pushtetin në kurriz të interesit publik.