Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Iranit fillojnë t’i dhembin plagët pasi t’i ftohen

Iranit fillojnë t’i dhembin plagët pasi t’i ftohen

Shkruan: Agron Hoti

Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe shumë para tyre janë zhvilluar kryesisht në Euroazi. Edhe sot ato po zhvillohen në Euroazi, në masën tokësore më të madhe, më të populluar dhe më të pasur në glob. Territori amerikan as është prekur dhe as që po preket. Që i bie se pavarësisht kush me kë është në luftë, përderisa ato zhvillohen në Euroazi, fitues i pashmangshëm është SHBA.
Për SHBA-në është e rëndësishme që masa tokësore e Euroazisë mos të bjerë me asnjë çmim nën dominimin e një fuqie hegjemonike euroaziatike, sepse ashtu sfidohet seriozisht supremacia globale e SHBA-së. SHBA-së i duhet vetëm ta luajë mirë shahun në Euroazi. Dhe atë po e bën: përmes luftës në Ukrainë parandaloi një aleancë të rrezikshme ruso-evropiane që po ngjizej nga viti 2000-2022; përmes luftës kundër terrorizmit parandaloi një aleancë të rrezikshme ruso-islame që po ashtu po ngjizej nga viti 2000-2022; dhe përmes luftës në Iran po ashtu po parandalon një aleancë tjetër të rrezikshme irano-ruso-kineze.
Për popullin shqiptar secila nga aleancat e lartëpërmendura është më e keqe se tjetra. Sepse pikërisht nga viti 2000-2022 Rusia përmes aleancës me evropianët dhe vendet islamike të Lindjes së Mesme, ia doli që në Kosovë e diasporë ta përmbyste realitetin politik përmes eliminimit politik të UÇK-së si dhe duke nxitur islamin politik e radikal. Qëllimi i Rusisë ishte që Kosova të futej në sabotazh vendor e ndërkombëtar dhe të ishte sa më antiamerikane. Gjykata Speciale ishte çelësi i këtij sabotazhi. Dhe jo rastësisht Kosova nga viti 2019-2026 vazhdon të jetë e paralizuar së brendshmi dhe së jashtmi pikërisht nga ky sabotazh.
Përderisa SHBA ia del me sukses t’i frenojë dhe parandalojë këto aleanca euroaziatike anti-SHBA e që në fakt që të gjitha janë edhe antishqiptare, çdo gjë është në rregull. Përderisa Rusia vetëgënjehej se një konflikt SHBA-Iran do ta dobësonte rezistencën e Ukrainës, ndodhi e kundërta, pikërisht tani Rusia po i përjeton humbjet më të mëdha, kjo kryesisht edhe për faktin se Iranit po i bjerren potencialet e dronëve të lirë raketorë që ia shiste Rusisë për ta shkatërruar Ukrainën.
Pra, shtete të fuqishme euroaziatike mund të jenë në armiqësi me SHBA-në, por ky nuk është rreziku kryesor për këtë të fundit. Rreziku kryesor është ndërtimi i aleancave euroaziatike, p.sh. një aleancë islamo-ruso-kineze, evropiano-ruse, apo kinezo-japoneze, etj.
Dhe përderisa SHBA ia del t’i frenojë dhe parandalojë këto aleanca, të tjerat janë detaje. Iranit plagët do të fillojnë t’i dhembin pasi t’i ftohen, pra pasi të ndalet lufta. Dëmet e shkaktuara janë qindra miliardëshe. Janë qeveritë e Iranit që do të duhet t’u japin llogari qytetarëve të tyre jo SHBA. E kur s’ke bukë për të ngrënë, opsioni i vetëm ngelen trazirat. Trazirat ndryshojnë çdo regiim, sado i çeliktë të jetë ai. E ka dëshmuar historia. Ka vetëm vonim, asesi shpëtim. E njëjta gjë ka për të ndodhur edhe në Rusi sapo ekonomia e saj të fillojë ta ngrisë flamurin e bardhë.