SHKRUAN: AGRON HOTI
Beteja e Koshares na tregoi më së miri fuqinë e përbashkimit shqiptar. UÇK u bë strumbullari i përbashkimit. Faktori i brendshëm shqiptar i kryesuar nga UÇK futi në lëvizje faktorin e jashtëm. Më 24 mars 1999 NATO filloi bombardimin e Serbisë. Më 31 mars 1999 UÇK thirri kushtrimin për mobilizim gjithëkombëtar. Më 9 prill 1999 ra muri apo kufiri ndarës mbi 100 vjeçar mes shqiptarëve (Kosovë-Shqipëri) si dhe vetë miti serb se Serbia ishte e pamposhtshme.
Beteja e Koshares e ndryshoi përfundimisht kursin e luftës. Një komb për t’u marrë parasysh duhet të tregojë para se gjithash fuqi goditëse. UÇK e bëri pikërisht atë në Koshare. Kjo ndryshoi menjëherë rrjedhën e ngjarjeve. UÇK u bë faktori i pakontestueshëm në terren. Shteti shqiptar ishte mbrapa. Shqiptarët kudo ishin mbrapa. NATO ndihmonte nga qielli. Serbia filloi të zbythej për të mos u ndalur më kurrë.
Koha po punonte për shqiptarët, Serbia po ekspozohej para botës si shtet gjenocidal, Rusia po dobësohej bashkë me gjithë aleatët e saj, Kina ende s’ishte në horizont. Evropa s’ishte ndonjë aktor. Turqia ishte ende e papërfillshme. Bota arabe ishte në pluhur e rërë. Ndikimi oriental te shqiptarët ishte minimal. U dëshmua në përbërje të UÇK-së. Feja s’arrinte t’i përçante shqiptarët si sot.
Ndërkohë, SHBA ishte Superfuqia e vetme në rritje. Më e madhja dhe më e fuqishmja që ka njohur njerëzimi. Ndaj, shqiptarët kishin vetëm një shpresë: ai ishte Perëndimi i kryesuar nga SHBA. Rrethana të tilla s’përsëriten më në histori.
Faktorizimi i UÇK-së u dëshmua në Rambuje. Me nënshkrim Kosova fitoi, me mosnënshkrim Serbia humbi. Bota demokratike u rreshtua përkrah Kosovës. Vendi përfundimisht u çlirua, pavarësua dhe shtetndërtua nga 1999 deri në 2019. Jo rastësisht kjo përbën periudhën e mrekullisë shqiptare, sepse jo vetëm që u çlirua Kosova, por u avansua ndjeshëm çështja e pazgjidhur shqiptare në Ballkan.
Beteja e Koshares ishte Thembra e Akilit për Serbinë. Rrënjët e shtetit të Kosovës filluan mu aty. Shteti i Kosovës sot ekziston, është realitet, pavarësisht se nga 2019-2026 vazhdon të jetë nën sabotazh vendor dhe ndërkombëtar.
Por, këtij sabotazhi do t’i vijë fundi atë ditë kur do të mbyllet Gjykata Speciale që u ndërtua nga Rusia e ringjallur nga 2000-2022 bashkë me Serbinë në terren, shumë evropianë dhe një armatë e tërë kinseshqiptare e shtrirë fuqishëm në politikë, shtet, shoqëri civile, opinionistë dhe disa media. Qëllimi i sabotazhit: shembja e gjithë të arriturave historike 1999-2019, përmbysja e realitetit në dëm të vendit si dhe rikthimi i forcave pro-jugosllave në çdo sferë të jetës. Kodi i sabotazhit “shkatërrimi 20 vjeçar”.
Si rezultat i këtij sabotazhi qytetarët në Kosovë e diasporë u manipuluan dhe u nxitën të rreshtohen kundër interesit strategjik të Kosovës. Vazhdojmë të jemi në një gjendje të tillë të rëndë që është në funksion të zbrazjes së Kosovës nga rinia dhe profesionistët, si ëndërr kjo e kahmotshme serbe e ruse për një Kosovë me sa më pak nëse fare shqiptarë. Por, kjo do të ndryshojë, edhe atë shumë shpejtë.
Lavdi, përgjërim, përulje, përkulje dhe respekt pa fund për të gjithë ata që morën pjesë në Betejen e Koshares dhe për të gjithë ata që dhanë jetën dhe derdhën trupin për këtë liri që kurrë s’e kishim!
Respekt, motra e vëllezër!
RON HOTI