Lideri i Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, e ka mbështetur kërkesën të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur”, ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Në profilin e tij në rrjetin social Facebook ai ka theksuar:
Rreshtohem në mbështetje të fushatës së inicuar nga miku im Bardhyl Mahmuti dhe Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që ai drejton, për të përcaktuar lulëkuqen me katër petale si simbol unik të përkujtimit të viktimave të gjenocidit që shkaktoi Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Iniciativë e qëlluar për të memorizuar përjetë kujtimet e një episodi të errët, e një qëndrese heroike përballë një ideologjie të errët pushtuese, e një ngjarje që nuk duhet përsëritur kurrë.
Uroj formalizimin sa më të shpejtë të kësaj iniciative, edhe atë që nga 15 janari kur Kosova shënon Ditën e Gjenocidit.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i është mirënjohës Zotit Ali Ahmeti për këtë mbështetje dhe e falënderon përzemërsisht.
Vetëm së bashku ne mund të arrijmë rrugën drejt drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë./TV Arbëria