Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Shenoll Muharremi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për, siç e ka quajtur ai, një “krim të dyfishtë” ndaj qytetarëve dhe ekonomisë së vendit

Shenoll Muharremi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për, siç e ka quajtur ai, një “krim të dyfishtë” ndaj qytetarëve dhe ekonomisë së vendit

Në një reagim publik, Muharremi thekson se mosndërhyrja e qeverisë për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës, e cila sipas tij ka arritur deri në 2 euro për litër, përbën një skemë mashtrimi dhe përfitimi në kurriz të qytetarëve.

“Qeveria aktuale, përkundër kërkesave të shumta, po refuzon të ndërmarrë masa për situatën e jashtëzakonshme me çmimin e naftës. Si rezultat, po përfiton nga mbledhja e taksave shtesë në kurriz të qytetarëve, fermerëve, bizneseve dhe prodhuesve,” thekson ai.

Sipas Muharremit, kjo qasje nënkupton se institucionet po e lejojnë qëllimisht rritjen e inflacionit, duke dobësuar fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa njëkohësisht rrisin të hyrat në buxhetin publik.

“Secili cent që shkon në buxhet nga këto taksa shtesë është para që qeveria po ia merr qytetarit nga xhepi,” shprehet ai, duke e cilësuar këtë si një barrë të drejtpërdrejtë financiare për familjet kosovare.

Ai paralajmëron gjithashtu për pasoja më të rënda afatgjata në ekonomi, duke theksuar se ndikimi i inflacionit mund të jetë shumëfish më i madh në të ardhmen për qytetarët dhe bizneset.

Në reagimin e tij, Muharremi kritikon edhe politikat sociale të qeverisë, duke pretenduar se fondet e mbledhura nga qytetarët po rikthehen në formë bonusesh për qëllime elektorale.

“Qeveria po i përdor paratë e qytetarëve për t’ua kthyer në bonuse dhe për t’i ndikuar në votë,” deklaron ai.

Në përfundim, ai e cilëson këtë qasje si një strategji të përsëritur, ku sipas tij, inflacioni po përdoret si mjet për rritjen e buxhetit dhe më pas për përfitime politike.