Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Çerkin Dukolli: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi kryesor i Kosovës

Çerkin Dukolli: Anëtarësimi në NATO mbetet synimi kryesor i Kosovës

Në 77-vjetorin e themelimit të NATO-s, Çerkin Dukolli ka theksuar rëndësinë historike dhe strategjike të kësaj aleance, duke nënvizuar se anëtarësimi në të mbetet një nga objektivat kryesore të Kosovës.

Sipas Dukollit, NATO, e themeluar më 4 prill 1949 në një periudhë pasigurie pas Luftës së Dytë Botërore, është shndërruar në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike në historinë moderne. Ai rikujton se organizata u krijua fillimisht nga 12 shtete, mbi parimin themelor të mbrojtjes kolektive – se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.

Në reagimin e tij, Dukolli thekson se ky parim ka qenë shtylla kryesore e sigurisë për botën perëndimore, duke kontribuar në parandalimin e konflikteve të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë dhe duke ofruar stabilitet ndër dekada.

Ai vlerëson gjithashtu transformimin e NATO-s ndër vite, nga një aleancë e fokusuar në kërcënimet e Luftës së Ftohtë në një organizatë që sot përballet me sfida globale si terrorizmi, siguria kibernetike dhe konfliktet rajonale.

Duke iu referuar rolit të NATO-s në Kosovë, Dukolli kujton ndërhyrjen e 24 marsit 1999 kundër caqeve serbe, e cila – sipas tij – ndali agresionin dhe hapi rrugën drejt çlirimit të vendit. Ai thekson se gjatë 78 ditëve të operacioneve ajrore, NATO u bë aleate e forcave tokësore të UÇK-së dhe popullit të Kosovës.

“Sot, me 32 anëtarë, NATO mbetet arkitektura globale e paqes dhe sigurisë, ndërsa për Kosovën, anëtarësimi në këtë aleancë është synim strategjik dhe i domosdoshëm për të ardhmen euroatlantike,” përfundon deklarata e Dukollit.