Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shoqëri e sëmurë nuk është ajo që vuan, por ajo që harron që po vuan

Shoqëri e sëmurë nuk është ajo që vuan, por ajo që harron që po vuan

Shkruan: Afrim Haliti

Çohet çdo mëngjes, pinë kafe, dikush shkon në punë, dikush hin live në TikTok dhe shanë, tjetri i kqyr lajmet në Facebook, i përsërit të njëjtat fjalë palidhje, dhe pak nga pak e bind veten që jeta është kështu dhe që kështu duhet me qenë. Ajo që dikur dukej e papranueshme, bëhet krejt normale. Padrejtësitë më nuk të shqetësojnë, thjesht i merr si të mirëqena. Të vërtetën nuk bënë me e thënë hapur, veç me e pëshpërit si me pasë turp dhe me u ndi keq prej saj.
E kur dikush del e flet drejt, pa u tutë, nuk shihet si dikush që po paralajmëron për rreziqe, por si dikush që po e prish rehatinë dhe gjumin e shoqërisë. Për shkak se në një shoqëri të sëmurë, njerëzit më shumë tutën prej së vërtetës sesa prej vetë sëmundjes. Se me e pranu të vërtetën do të thotë me e pranu që gjithë këtë kohë ke jetu në rrenë.
E sëmundja e vërtetë e një shoqërie fillon atëherë kur ajo më nuk i njeh simptomat e veta, dmth në momentin kur sëmundjen e quan normalitet.
Shoqëria e sëmurë nuk i tutet sëmundjes së vet. E mbron, voton për të, dhe sulmon këdo që guxon me e diagnostifiku.