Adem Qorrolli ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar si “mashtrimin e radhës” premtimin për investime në ushtri, në një kohë kur sipas tij, ushtarët përballen me vështirësi serioze ekonomike.
Në një deklarim publik, Qorrolli thekson se ndonëse përmendet shifra prej një miliard euro për ushtrinë, realiteti në terren është krejt ndryshe. Ai pretendon se shumë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës detyrohen të punojnë në dy apo edhe tre vende pune për të përballuar jetesën.
“Është e dhimbshme kur sheh ushtarë duke punuar si kamarierë, bojaxhinj, punëtorë ndërtimi apo kuzhinierë. Kjo tregon qartë për mungesën e trajtimit dinjitoz,” ka deklaruar ai.
Qorrolli ngriti shqetësime edhe për kushtet e punës brenda FSK-së, duke përmendur se puna e natës nuk paguhet në mënyrë të duhur. Sipas tij, kjo situatë bie ndesh me deklaratat zyrtare për forcimin dhe profesionalizimin e ushtrisë.
Në reagimin e tij, ai kritikoi gjithashtu diskursin për përfshirjen e mundshme të ushtarëve në misione jashtë vendit, duke përmendur zona të ndjeshme si Irani dhe Palestina. Ai e konsideroi këtë si të papërgjegjshme, sidomos kur, sipas tij, edhe shtete të fuqishme evropiane tregojnë hezitim në këto çështje.
Në fund, Qorrolli i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të fokusohet në përmirësimin e kushteve për ushtarët dhe ruajtjen e dinjitetit të tyre.
“Ke luftuar mjaftueshëm që ushtria të mos formohej, por të paktën sot nuk po arrin t’ia ruash dinjitetin,” përfundon reagimi i tij.