Shkruan: Afrim Haliti
Dje në Kuvend, Albin Kurti foli gjatë për ligjin, popullin dhe drejtësinë. Por në vend se ta fuqizonte argumentin e tij, ai në fakt e ekspozoi veten.
Sa më shumë që fliste, aq më qartë bëhej se problemi nuk ishte tek të tjerët, por tek mënyra se si ai e kupton shtetin.
Prandaj, cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerrim nga ajo që dëgjuam dje prej Albin Kurtit?
Për shkak se fjalimet politike nuk janë vetëm për t’u dëgju apo kundërshtu. Fjalimet politike janë edhe për t’u kuptu. E kur i kupton mirë, atëherë fillon ta dallosh jo vetëm atë që thuhet, por edhe atë që fshihet pas saj dhe nuk thuhet në mënyrë direkte.
Kur ta kupton mirë, atëherë dalin në pah problemet me atë që Albin Kurti tha dje në Kuvend.
Së pari, ai tha se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe se “vullneti i popullit nuk mund të shpërndahet me dekret”.
Kësisoj ai u përpoq ta ndërtojë gjithë argumentin mbi idenë se ishte duke e mbrojtë rendin kushtetues dhe vullnetin e popullit. Ndoshta në fillim edhe të duket normale, por nëse e shikon më thellësisht, ajo që ndodhi ishte krejt diçka tjetër.
Ai, siç edhe pritet nga tendencat e tij të rrezikshme, e trajtoi vullnetin e popullit si një të vërtetë absolute dhe si diçka që nuk mund të preket.
Mirëpo, në demokracitë parlamentare, vullneti i popullit nuk ekziston si diçka e paprekshme jashtë institucioneve. Ky vullnet ekziston përmes tyre. Si i tillë, Kuvendi nuk është vetë vullneti i popullit, por vetëm një formë e këtij vullneti për një periudhë të caktuar dhe të kufizuar. Dhe si çdo formë tjetër politike ai mund të ndryshohet, mund të rishikohet dhe mund të shpërndahet.
Kur Albini flet për vullnetin e popullit si diçka absolute nuk është se po mundohet ta mbrojë atë. Historia politike që nga Rousseau e deri te Schmitti na mëson të kundërtën. Atë se çdokush që flet në emër të një vullneti absolut, përfundon duke e zëvendësu atë me vullnetin e vet.
Së dyti, ai foli për ndarjen e pushteteve, për balancën dhe për respektin institucional. Por në të njëjtën kohë, i gjithë fjalimi i tij ishte i ndërtuar mbi idenë se vetëm interpretimi i tij ishte i saktë.
Kjo është pikërisht kontradikta që duhet të kuptoni menjëherë. Duhet ta dimë se ndarja e pushteteve nuk ekziston vetëm kur pajtohemi me njëri-tjetrin. Ajo ekziston për momentet kur nuk pajtohemi. Tash, nëse Albini del dhe pretendon se ai është pronar i së vërtetës, derisa të tjerët janë gabim, atëherë kemi problem real.
Albini fliste për demokraci, por mënyra si e ndërtoi argumentin e tij në fakt e ngushtonte hapësirën e saj. Duhet të jemi të qartë se demokracia nuk funksionon vetëm sepse e përmend Albini. Demokracia funksionon mbi konfliktin e interpretimeve dhe mbi rregullat që i mbajnë ato brenda kufijve të pranueshëm.
Së treti ai kaloi te korrupsioni, duke përdorë atë gjuhën që tingëllon mirë në vesh. Kinse çdo cent i keqpërdorur duhet të kthehet. Askush nuk e kundërshton këtë. Madje edhe e kërkojmë me ngulm. Por mënyra si e paraqiti ishte problematike.
Ju duhet të kishit vërejtur se ai e ktheu këtë në një çështje morali. Si një ndarje mes të mirëve dhe të këqijve. Kjo sigurisht që duket joshëse për publikun, por shumë e rrezikshme për shtetin sepse shteti nuk funksionon mbi moralin. Shteti funksionon mbi ligjin dhe procedurën. Pra, nuk është detyra e shtetit të vendosë kush është i mirë dhe kush është i keq. Detyra e shtetit është të ndjekë rregulla të qarta për të gjithë.
Në rast se drejtësia fillon të përdoret si mjet moral atëherë rrjedhimisht edhe vendimet bëhen arbitrare duke mos u varur nga ligji por nga interpretimi i pushtetit.
Tani, le të ndalemi te një nga pjesët më të rënda të gjithë fjalimit të tij. Sulmi i tij ndaj mediave.
Ai foli për financime të fshehta, për “thasë parash”, për ndikime të huaja dhe për “argatë të brendshëm”. Këto janë akuza shumë serioze. Dhe kur bëhen nga foltorja e Kuvendit, ato do duhej të mbështetëshin me prova të qarta.
Por Albini nuk paraqiti asnjë provë.
Kjo është thelbësore.
Për shkak se në demokraci nuk mjafton të krijosh dyshim për ta delegjitimu dikë. Nëse një kryeministër fillon të hedhë akuza të përgjithshme ndaj mediave pa i konkretizu, ai përpiqet të duket sikur po e mbron debatin publik kur në të vërtetë vetëm se është duke e helmu atë.
Ai tha se një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë. Kjo, në teori është e vërtetë. Por këtu lind pyetja më e rëndësishme. Kush vendos se çka është e vërtetë e çka jo?
Në momentin që shteti merr rolin e atij që përcakton se çka është e vërtetë, liria e shprehjes nuk zhduket menjëherë por fillon t’i ekspozohet filtrave. E filtrimi është shumë më i rrezikshëm pikërisht sepse nuk duket si censurë.
Këtu duhet të jeni shumë të kujdesshëm. Sepse çdo pushtet që fillon duke folë për “media të kapura” pa dhënë prova, zakonisht përfundon duke kriju mekanizma për t’i kontrollu ato.
Paramendoni, ai madje këtë e justifikoi duke iu referu edhe veprimeve të Bashkimit Evropian ndaj mediave ruse. Por ky është krahasim i gabuar. Sepse ato janë masa të jashtëzakonshme në kontekst lufte. Nuk janë standard për një demokraci që pretendon të funksionojë normalisht.
Kësisoj, nëse çdo kritikë fillon të shihet si ndikim i huaj, këtu kemi tendencë që të ketë vetëm një version të pranueshëm të së vërtetës.
Më pas ai foli për çmimet tavan. Tha se kjo nuk ishte ideologji, por drejtësi në treg. Kjo ndoshta ishte një nga pjesët më të dobëta në tërë fjalimin e tij. Por këtë tendencë duhet kuptu qartë për arsye se ndërhyrja në çmime gjithmonë është ideologji, edhe atëherë kur Albini nuk e pranon si të tillë. Çmimet nuk janë vendime morale por sinjale ekonomike. E kur shteti fillon t’i kontrollojë ato, zakonisht i krijon problemet tjera, si mungesën ose deformimin e tregut.
Historia ekonomike në këtë pikë është shumë e qartë. Sa herë që çmimet ndikohen nga lart, krijohen pasoja të tjera si mungesa, tregu i zi dhe dëmtimi i ofertës.
Ai e paraqiti këtë si kinse mbrojtje të qytetarit nga abuzimi. Por duhet ta kuptoni një gjë. Në momentin që shteti merr rolin e atij që vendos për çmimet, (pu)shteti bëhet aktori më i fortë në treg. Kështu problemi që ky pretendoi ta zgjidhte nuk zhduket por thjesht kalon nga një palë në tjetrën.
Në fund, si pjesa më ironike, ai e mbylli me sundimin e ligjit.
Por cili është mësimi kryesor që duhej të kishit nxjerrë nga ky fjalim?
Sundim i ligjit nuk është kur pushteti përdor ligjin për të arritë qëllime që në pamje duken të drejta, por kur pushteti kufizohet nga ligji edhe atëherë kur mendon se ka të drejtë.
Mirëpo dje, nëse e dëgjuat me kujdes, nuk pamë një kryeministër që kufizohej nga ligji. Por pamë e dëgjuam një kryeministër që përpiqej ta interpretonte ligjin në mënyrë që t’i përshtatej atij.
Në fund, çka duhej të kishim mësuar nga ky fjalim?
Që fjalët e thata për drejtësi nuk mjaftojnë.
Që thirrjet për popullin mund të përdoren për ta tkurrur pluralizmin.
Që akuzat pa prova ndaj mediave janë më të rrezikshme se vetë media.
Dhe që çdo pushtet që kërkon më shumë kontroll kinse në emër të së mirës, duhet shikuar me dyshim të dyfisht.