Kreu i agjencisë së brendshme të inteligjencës gjermane paralajmëroi për rritjen e aktivitetit nga shërbimet sekrete ruse.
“Interesi i inteligjencës ruse këtu në Gjermani jo vetëm që është i pandërprerë, por gjithashtu po rritet ndërsa efektet e luftës vazhdojnë”, tha për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Thomas Haldenwang, shefi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Haldenwang iu referua një agjenti të dyshuar, i cili u arrestua para Krishtlindjes për gjoja furnizimin e Rusisë me informacione sekrete, duke treguar se “sa real është rreziku i spiunazhit rus”.
“Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të parandaluar që njerëz të tjerë që mund të jenë të lidhur me shërbimet ruse të vijnë këtu në Gjermani”, tha ai.
Ai shtoi se Gjermania ka parë një rritje masive të sulmeve kibernetike ruse, fushatave të dezinformimit dhe metodave të tjera që synojnë të ndikojnë në opinionin publik.
/TV Arbëria