Kushtrim Ajvazi ka reaguar për rritjen e ndjeshme të çmimit të gazit LPG në Kosovë, duke e cilësuar situatën si një sfidë serioze për industrinë prodhuese.
Vetëm brenda tri ditëve të fundit, çmimi i gazit është rritur për rreth 50 për qind. Nga rreth 0.60 euro për kilogram në fund të shkurtit, çmimi tashmë ka kaluar mbi 1.20 euro për kilogram.
Ai ka theksuar se mbi 90 për qind e sasisë së gazit të importuar përdoret nga sektori i prodhimit, prandaj rritja e çmimit ndikon drejtpërdrejt në koston e produkteve vendore.
Prodhuesit tashmë janë përballur me dyfishimin e faturës së energjisë elektrike brenda një viti dhe rritje prej të paktën 50 për qind të çmimit të naftës, ndërsa tani përballen edhe me dyfishimin e çmimit të gazit.
Sipas vlerësimeve të tij, nëse ky trend vazhdon, kostoja shtesë për sektorin prodhues mund të tejkalojë 20 milionë euro deri në fund të vitit, krahasuar me vitin 2025.
Ajvazi paralajmëron se kjo rritje e kostove mund të sjellë më pak investime, rrezik për vendet e punës dhe presion për rritje të çmimeve për konsumatorët.
Ai bën thirrje për reagim të shpejtë institucional, për të mbështetur prodhimin vendor dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në vend.