Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Cili mund të jetë përfitimi kryesor i Rusisë nga lufta në Iran?

Cili mund të jetë përfitimi kryesor i Rusisë nga lufta në Iran?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga fillimi i sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite kundër regjimit në Iran, analistë të ndryshëm kanë ngritur tezën se ndër përfituesit kryesor të këtij konflikti mund të jetë, Vladimir Putin. Madje kjo luftë ka ardhur në një moment ideal për të, sepse ajo i ka dhënë një impuls të rëndësishëm ekonomik Rusisë. Çmimet e larta te naftës dhe gazit, veçanërisht pas mbylljes së ngushticës së Hormuzit, si dhe sulmet e vazhdueshme raketore dhe me dronë nga Irani ndaj disa prej vendeve të Gjirit Persik që kanë baza amerikane, i kanë ndihmuar Kremlinit që t’a plotësojë një pjesë të buxhetit federal për ta mbështetur makinerinë luftarake në Ukrainë. Ndërkohë, shumë kush edhe “indiferencën” e Moskës në raport me aleatin e tij strategjik në Lindjen e Mesme e ka parë të kushtëzuar nga këto kalkulime.

Mediat e ndryshme kanë ngritur dyshime se Rusia ka mundur ta furnizojë më të dhëna satelitore ushtrinë e Iranit, por përtej këtyre dyshimeve nuk është vërejtur ndonjë angazhim më i madh i Kremlinit në mbështetje të Iranit. Madje është dukur që i pari tërthorazi i ka “fërkuar duart” nga ky konflikt, sepse veçanërisht Kina e cila është importuesi kryesor i naftës iraniane nuk do të ketë alternativë tjetër, pos ta marrë atë nga Rusia, sipas kushteve të reje të “ekonomisë së tregut”.

Kohë me parë Ben Cahill, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare (CSIS) me bazë në Uashington i kishte thënë CNN se fituesi më i madh i konfliktit (me Iranin) është Rusia, sepse tani ky shtet “mund të shesë naftën që më parë ishte me zbritje duke shënuar një kthesë mjaft të madhe”. Ndërkohë Alexandra Prokopenko nga për të njëjtin medium pohonte se “para luftës me Iranin, Rusia po shkonte drejt një krize të vërtetë buxhetore”, kurse aktualisht ajo është duke e përjetuar një lloj lehtësimi, ndonëse sipas saj kjo nuk e ndryshon perspektivën e zymtë afatgjatë të këtij shteti.

Megjithatë, personalisht gjykoj se përtej përfitimeve momentale ekonomike, që e ka krijuar kjo luftë për Rusinë, suksesi më i madh për të mund të jetë i natyrës strategjike. E tëra kjo sepse gjithnjë e më tepër ajo është duke i acaruar deri në ekstrem raportet transatlantike. Hiç më larg se dje, Presidenti Trump e ka adresuar një artileri të jashtëzakonshme kritike ndaj disa prej vendeve aleate evropiane, që sipas tij nuk kanë bërë “sehir” deri sa Amerika dhe Izraeli po luftojnë kundër “ regjimit tiranik në Iran”. Në platformë “truth social” ai ka shkruar se SHBA-të, më nuk do ndihmojnë vendeve që varen nga furnizimet me naftë nga kjo arterie detare. Me këtë rast, ai ka bërë një propozim, që “të gjitha vendet që nuk kanë më karburant për shkak të situatës në ngushticën e Hormuzit, si për shembull Britania e Madhe dhe që ka refuzuar të marrë pjesë në shkatërrimin e ushtrisë në Iran, ose duhet ta marrin vetë atë, ose duhet të blejnë naftë nga SHBA”.

Në këtë kontekst, i njëjti ka qenë me i ashpër me Francën. Me anë të një postimi, Presidenti Trump, shkruan se ky “vend nuk ka lejuar avionët që shkonin drejt Izraelit, të ngarkuar me furnizime ushtarake, të fluturonin mbi territorin francez,,kjo është e njëjta Francë që ndaloi shitjet e armëve për Izraelin kur ai po luftonte terroristët e Hamasit. Tani, ndërsa regjimi iranian po lëkundet nga goditjet ndaj udhëheqjes, Parisi ka zgjedhur të mbrojë mullahët në vend që të mbështesë lirinë”. Prandaj sipas tij “mjaft është mjaft. Evropa ka përfituar falas nga fuqia amerikane për dekada duke i minuar njëkohësisht interesat tona. Këto veprime do të kenë pasoja. “Amerika e para” do të thotë që ne i kujtojmë miqtë tanë të vërtetë dhe ndalojmë së mbajturi mbi supe aleatë të padobishëm që mbajnë anën e terroristëve dhe tiranëve”, ka përfunduar presidenti Trump.

Dhe është pikërisht ky agravim i tensioneve ndërmjet partnerëve perëndimorë që mund të shndërrohet në fitoren kryesore strategjike të Rusisë. Sepse ka qenë e ditur që prej fillimit që Rusia do të ketë të vështirë t’i realizojë objektivat kryesore ushtarake në Ukrainë, për sa kohë që komunitetit transatlantik mbetet unik dhe në mbështetje të Kievit. Mirëpo, me vlerësimin e aleatëve evropiane të NATO-së se lufta në Iran nuk është çështje evropiane, shumë shpejt mund të ndodh që edhe ajo në Ukrainë të mos jetë shqetësim i sigurisë amerikane. Dhe kjo përçarje mbase do të ishte dhurata më profitabile për Rusinë në këtë kohë.