Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Dreka me Macron në Elysse, Kurti vazhdon t’i bëjë jehonë, Franca ende asnjë fjalë për takimin

Dreka me Macron në Elysse, Kurti vazhdon t’i bëjë jehonë, Franca ende asnjë fjalë për takimin

Të premten e javës së kaluar, kryeministri i vendit, Albin Kurti, u prit në për takim nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris. Me të arritur aty, Macron e priti krah hapur Kurtin, teksa përshëndetja mes tyre u pa si mjaftë e ngrohtë. E njëjta më pas, u përcoll nga një takim ‘’dy orësh’’, me diskutime të ndryshme, shkruan Gazeta Express.

Të paktën kështu u tha nga Kurti e zyra e tij, pasi që i vetmi version për këtë takim, është nga këta të fundit.

Së pari nga ZKM’ja u tha se Macron e uroi Kurtin në rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë, ku më pas u theksua edhe roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.

‘‘Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës, e cila është para së gjithash siguria e kufijve të saj, pastaj për ndërtimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse lokale, marrëdhëniet me fqinjin verior Serbinë në lidhje me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëpunimin me aleatët e Atlantikut të Veriut dhe sigurinë rajonale në Ballkan’’, u shtua mes tjerash nga Zyra e Kryeministrit.

Pas ZKM’së, për takimin shkroi edhe vetë Kurti. I pari i qeverisë tha se, gjatë këtyre dy orëve ata diskutuan për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, angazhimin e misioneve të BE’së, si dhe angazhimin e Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

‘‘I kërkova Presidentit Macron mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja biznesi Kosovë-Francë. Ngrita gjithashtu çështje të sigurisë, forcimit të aftësive tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë’’, shkroi Kurti në postimin e tij, pas takimit me liderin francez.

Përveç kësaj, Kurti dha komente edhe ditën e djeshme. Kryeministri sërish potencoi se takimi zgjati rreth dy orë, ku ‘‘pritja e përzemërt u pasua nga një diskutim i thellë dhe i sinqertë’’, dhe që, gjatë të njëjtit u folën temat ‘‘e bashkëpunimit, integrimit, sigurisë, mbrojtjes, si dhe ekonomisë dhe zhvillimit”.

“Gjithashtu, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe marrëdhënieve me fqinjët veriorë të Kosovës ishin çështje që diskutova me presidentin francez”, shtoi Kurti dje.

Porse, në anën tjetër, kaq i ‘zëshëm’ për këtë takim s’ishte edhe Macron. Për dallim nga Kurti, udhëheqësi i Francës s’ka pasur kurrfarë deklarimi.

As në profilet e tija personale e as në ato të institucioneve franceze, nuk ka pasur ndonjë komunikatë për takimin e Macron dhe Kurtit, e as ndonjë detaj për çështjet që janë diskutuar aty.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në ambasadën e Francës për të marrë qëndrim apo ndonjë detaj nga ky takim, porse, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, s’është pranuar ndonjë përgjigje.