E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku në fokus ishte zgjerimi i bashkëpunimit në sektorët e energjisë dhe minierave.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për thellimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin e projekteve energjetike dhe shfrytëzimin e resurseve minerare, shkruan IndeksOnline.
Prattipati theksoi angazhimin e Ambasadës për të krijuar mundësi të reja për bizneset amerikane që synojnë të operojnë në Kosovë, veçanërisht në sektorët strategjikë si gazi natyror i lëngshëmm, si dhe minierat.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ekonomik, duke shtuar se partneriteti në këto fusha pritet të kontribuojë në rritjen e prosperitetit të ndërsjellë mes dy vendeve.