Analisti dhe opinionisti Basri Beka ka reaguar ashpër pas raportimeve për parregullsi serioze në faturimin e energjisë elektrike, duke e cilësuar situatën si “skandal shtetëror me përmasa kriminale”.
Sipas Bekës, fakti që një përqindje e lartë e njehsorëve të energjisë rezultojnë me defekt dhe qytetarët janë faturuar padrejtësisht, përbën jo thjesht një gabim teknik, por “grabitje të organizuar ndaj qytetarëve të Kosovës”.
“Kur 87% e njehsorëve dalin me defekt dhe faturimi vazhdon mbi qytetarët, kjo nuk është më çështje dyshimi — është një skemë që ka prodhuar dëm të madh financiar,” ka theksuar ai.
Ai ka kërkuar masa urgjente ndaj kompanive energjetike KEDS dhe KESCO, duke vlerësuar se ato kanë humbur çdo kredibilitet për të operuar në treg.
“Çdo ditë që këto kompani vazhdojnë aktivitetin është vazhdim i dëmit ndaj qytetarëve,” ka deklaruar Beka.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe institucionet përgjegjëse, duke përfshirë Zyrën e Rregullatorit për Energji, për të cilën thotë se nuk mund të fshihet më pas procedurave administrative.
“Rregullatori ka për detyrë të mbrojë konsumatorin, jo të tolerojë një sistem që e zhvaten atë,” ka shtuar ai.
Beka ka paraqitur tri kërkesa konkrete:
- Tërheqjen e menjëhershme të licencës për KEDS dhe KESCO
- Ndalimin e çdo operimi deri në zbardhjen e plotë të rastit
- Nisjen e hetimeve penale dhe vendosjen e përgjegjësisë për të gjitha nivelet drejtuese
Ai thekson se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si debat politik, por si një vijë e kuqe për funksionimin e shtetit ligjor.
“Kjo nuk është çështje politike. Ose mbrohet qytetari, ose legalizohet vjedhja. Nëse institucionet heshtin, atëherë bëhen pjesë e këtij skandali,” përfundon reagimi i Bekës.