Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > FORTESA, CELINA, KRUSHA… DËSHMI TË GJENOCIDIT TË MOHUAR

FORTESA, CELINA, KRUSHA… DËSHMI TË GJENOCIDIT TË MOHUAR

Arben Fetoshi

Më 24 mars 1999, rreth orës 19:45, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë moderne evropiane: ndërhyrja e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Një vit pas Epopesë së UÇK-së, bota demokratike ndërhyri kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke i dhënë fund një politike shtetërore që synonte dëbimin dhe shkatërrimin e shqiptarëve të Kosovës.

Sot, 27 vjet më pas, përballja nuk është vetëm me kujtesën e krimit, por edhe me përpjekjet e vazhdueshme për ta mohuar atë. Narrativa zyrtare serbe vazhdon të përmbysë të vërtetën, duke e quajtur Reçakun “inskenim”, NATO-n “agresor” dhe Serbinë “viktimë”.

Megjithatë, faktet mbeten të pakundërshtueshme: rreth një milion shqiptarë të dëbuar, mbi 13 mijë të vrarë dhe mijëra gra të dhunuara. Këto shifra dëshmojnë përmasat e një fushate të organizuar shtetërore.

Masakrat që dëshmojnë krimin

Në orët e para të mëngjesit të 25 marsit 1999, forcat serbe hynë në Bellacerkë (Fortesë), duke hapur zjarr për të terrorizuar popullsinë civile. Pas rrethimit të fshatit, filluan plaçkitjet, keqtrajtimet dhe më pas ekzekutimet. 65 civilë, përfshirë fëmijë, u vranë.

Masakra të ngjashme ndodhën në Celinë, ku u vranë 75 civilë, në Brestoc me 45 të vrarë, si dhe në Hoçë të Vogël, ku brenda disa ditësh u masakruan 34 civilë, mes tyre edhe fëmijë të vegjël.

Ndërkohë, në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël u zhvilluan disa nga krimet më të rënda. Pas granatimeve, burrat dhe djemtë u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Ata u grumbulluan, u rrahën brutalisht dhe më pas u ekzekutuan. Në Krushë të Madhe u vranë 241 persona, ndërsa në Krushë të Vogël 113 burra dhe djem u masakruan, duke lënë pas një fshat të mbuluar nga zija.

Krimi, fshehja dhe mohimi

Përpjekjet për zhdukjen e gjurmëve ishin sistematike: djegie trupash, hedhje në lumenj dhe konfiskim dokumentesh personale. Qëllimi ishte i qartë – të fshihej krimi dhe të pamundësohej identifikimi i viktimave.

Edhe pas luftës, drejtësia mbeti e munguar për shumë prej këtyre krimeve. Asnjë reflektim serioz nuk erdhi nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë dhe relativizojë masakrat.

Përkundrazi, përmes strategjive propagandistike dhe narrativave të përmbysura, vazhdon të paraqitet si viktimë, duke tentuar të zhvendosë përgjegjësinë dhe të deformojë të vërtetën historike.

Kujtesa kundër harresës

Fortesa, Celina, Brestoci, Krusha dhe shumë fshatra të tjera të Kosovës nuk janë vetëm vende të dhimbjes. Ato janë dëshmi të gjalla të një politike gjenocidale dhe të një historie që kërkon drejtësi.

Në përballje me përpjekjet për harresë dhe mohimin e vazhdueshëm, kujtesa mbetet arma më e fortë. Sepse krimi nuk përfundon me aktin e tij – ai vazhdon të jetojë për aq kohë sa mohohet.

Dhe për këtë arsye, këto vende vazhdojnë të kërkojnë atë që ende mungon: drejtësi.