Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Reagimi i Qerkin Dugollit ndaj Qumilit: Malisheva ka traditë të pasur kulturore dhe artistike

Reagimi i Qerkin Dugollit ndaj Qumilit: Malisheva ka traditë të pasur kulturore dhe artistike

Pas deklarimeve të humoristit Sevdai Radogoshi lidhur me jetën kulturore dhe artistike të studentëve nga Malisheva, ka reaguar përmes një postimi në Facebook Qerkin Dugolli, duke theksuar se Malisheva dhe fshatrat e saj kanë pasur një traditë të gjatë në kultivimin e artit dhe kulturës.

Dugolli kujton se gjatë viteve ’80 dhe ’90 në fshatrat e Malishevës kanë funksionuar dhjetëra shoqëri kulturo-artistike (SHKA), të cilat kanë promovuar këngën, dramën dhe aktivitete të tjera kulturore.

Ai thekson se në vitet 1981–1982 në fshatin Mirushë është realizuar mbi 80 për qind e filmit Lepuri me pesë këmbë, me regji të Ismail Ymeri. Sipas tij, në këtë film të prodhuar nga Kosovafilmi kanë luajtur disa aktorë nga Malisheva, ndër ta Beqir Gashi, Milazim Dukolli, Lavdije Thaqi, Naim Kryeziu, Xhevdet Gashi dhe Zeqir Kryeziu.

Dugolli përmend gjithashtu edhe aktivitetet teatrore, duke theksuar se nga viti 1992 në fshatin Bubavec ka funksionuar grupi dramatik “Jusuf Gërvalla”, i cili realizoi dramën Procesi të autorit Jusuf Gërvalla. Ai shton se provat për këtë dramë janë zhvilluar në xhaminë e fshatit Bubavec, e njohur sot si Xhamia e Pajtimit, me mbështetjen e hoxhës Xhevat Kryeziu dhe banorëve të fshatit.

Sipas Dugollit, pavarësisht represionit të kohës, kjo dramë është shfaqur në Malishevë, në Bllacë të Suharekës dhe në Drenas, duke marrë vlerësime pozitive për realizimin artistik.

Në reagimin e tij, ai thekson se Malisheva ka dhënë shumë artistë të njohur, duke përmendur emra si Nexhmije Pagarusha, Avni Hoti, Sheqerie Buqaj dhe Ismet Krasniqi, si dhe shumë të tjerë ndër breza.

Në fund, Dugolli shprehet se qytetarët e Malishevës jo vetëm që e vizitojnë teatrin, por edhe e krijojnë dhe e kultivojnë vetë atë.