Shkruan: Afrim Kasolli
Në shkrimin “Njeriu i lirë mendon më së paku për vdekjen” duke u bazuar në tezat e filozofit të njohur holandez më orgjinë hebraike, Baruch De Spinoza, pata vënë në pah se një pjesë e mirë e mësimeve të këtij mendimtari pretendon t’i çlirojë njerëzit nga frika dhe ankthi i vdekjes. Më këtë rast, B.Spinoza në traktatin e tij teorik “Etika” konstaton se “në qoftë se një person beson se Zoti do të shpërblejë të virtytshmit dhe ndëshkojë të ligët, jeta e tij do të qeveriset prej emocioneve të shpresës dhe frikës: shpresës për të qenë njëri prej të zgjedhurve, frikës së të qenit i destinuar drejt mallkimit të përjetshëm. Një jetë e dominuar nga të tilla pasione iracionale është, sipas Spinozës, një jetë e ‘robëruar’ e jo një jetë e lirisë së arsyes”. Prandaj, për këtë filozof, “njeriu i lirë mendon për vdekjen më së paku, dhe urtësia e tij është meditim mbi jetën, e jo mbi vdekjen”.
Natyrisht, filozofi tjetër i shekullit 20-të Martin Heidegger, mbronte pikëpamjen, se një nga rrugët që na shpie drejt kthimit kah vetevetvetja mbetet fokusimi mbi vdekjen tonë të pashmangshme apo “qenësimin drejt vdekjes” .
Për këtë mendimtar ekzistencialist, qeniet njerëzore janë të hedhura në botë në një ambient partikular social, historik dhe kulturor, e të rrethuar nga qëndrime rigjide, paragjykime të kohës etj etj. Kurse shumë nga nevojat tona praktike nuk janë prodhim i domosdoshëm i shumicës së qenieve njerëzore. Por ato imponohen. Prandaj, detyra e filozofisë është se si të na ndihmojë ta ballafaqohemi me këtë hedhje “Geworfenheit” me qëllim qe në ta bëjmë një jetë autentike “Eigentlichkeit”, si të kundërt me atë joautentike “Uneigentlichkeit”. Dhe këtë jetë autentike na ndihmon ta bëjmë pikërisht “pranimi filozofik” i mortalitetit tonë”. Sepse, vetëm në këtë mënyrë, ne mund ta kuptojmë se njerëzit tjerë nuk mund të na shpëtojnë nga hiçi, “Das Nichts”. Me këtë hapërim cilësor atëherë do të ndalojmë të jetojmë për ta, të shqetësohemi se çka mendojnë ata për ne dhe t’i shpenzojmë energjitë tona të jashtëzakonshme për t’i impresionuar ata të cilët në të vërtete ashtu kështu nuk na duan neve në rend të parë. Madje asnjëri nga ta nuk do vdes për ne. Por ne do të vdesim për vetveten
Sidoqoftë, studimet e fundit psikologjike kanë hedhur dritë mbi një horizont tjetër sesi njerëzit duhet t’i qasen fundit të tyre të pashmangshëm dhe për më tepër se si duhet të çlirohen nga frika prej vdekjes. Kështu, psiko-terapistja, Julie Hannan, në shkrimin, “A life fully lived paradoxically reduces the fear of death-Meaning in life leads to less anxiety around dying” duke u bazuar edhe të në të dhënat e infermieres, Bronnie Ware, që kishte kaluar shumë kohë me pacientë që ndodheshin në kufijtë e ekzistencës së tyre, e të përmbledhura në librin, The Top Five Regrets of the Dying”, konstaton, se ndër pendimet kryesore të tyre kishin të bënin me “mungesën e guximit për të jetua, të mos qenit besnik ndaj vetvetes, të punuari tepër, inhibimin e ndjenjave të brendshme, humbjen e lidhjeve me miqtë si dhe mohimin e vetës për të qenë të lumtur.
Kështu sipas autores në fjalë, secili prej këtyre pendimeve, nuk kishte lidhje “të drejtpërdrejtë me vdekjen në vetvete, por me mosplotësimin autentik të jetës, shtyrjen e saj. Pra, njerëzit rrallë frikoheshin për vdekjen, por pendoheshin për jetën e pa jetuar. Prandaj kurimi nga ky ankth në masë të madhe mund të jetësohet nga një “jetë e jetuar me kuptim, dhe në përputhje me autenticitetin tonë”.
Me këtë rast, Julie Hannan, duke u bazuar po ashtu edhe në praktikën e saj klinike, konstaton se shumë paciente manifestonin të njëjtat ankthe. Shumë njerëz, të “moshës së mesme (35–65 vjeç), e shfaqnin një formë tjetër të ankthit ndaj vdekjes. Ata nuk kishin frikë nga ajo që vjen pas vdekjes, por se po humbnin kohë, dhe se nesër do të gjenden në shtratin e vdekjes të mbushur me pendime. Ata e përshkruajnë një boshllëk, mërzi ose shqetësim të brendshëm, thjesht e rrëfejnë një ndjesi të vazhdueshme se jeta po u rrëshqet nga duart”.
Prandaj, për t’u çliruar nga kjo “peshë vrastare e jetës” psikogoja në fjalë se pohon se “ideja e vdekjes nuk është kërcënim. Ajo na kujton të jetojmë tani, jo më vonë” Pikërisht duke “ jetuar plotësisht — në përputhje me atë që po bëhemi — zbulojmë se ideja e vdekjes humbet fuqinë e saj. Jeta është jetuar, kuptimi është krijuar dhe asgjë thelbësore nuk ka mbetur pa u jetuar”.