Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publik.
Sipas PDK-së, ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku në një konferencë për media, pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, tha se ka bazë të mirëfilltë që kjo gjykatë ta shfuqizojë këtë ligj, që sipas tij, synon nënshtrimin e administratës publike.
Lushtaku: Kushtetuesja ka bazë ligjore për ta shfuqizuar Ligjin për zyrtarët publik
“Ne mendojmë që është bërë një shkelje e radhës e Kushtetutës, duke shkelur dinjitetin e nëpunësve civilë, njerëzve, qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji t’i paraqesim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, ne mendojmë se ka bazë që Kushtetuesja jo vetëm që të pezullojë, por edhe ta shfuqizojë Ligjin për zyrtarët publikë”, tha ai.
Ndërsa, koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, Përparim Gruda tha se Ligji për zyrtarët publik adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.
Gruda: Ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Evropian
“Jemi të sigurti se ly ligj çon në një politizim të skajshëm të administratës publike. Po ashtu, ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Evropian si rezultat i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje e cila është mbi ligjet e Kosovës dhe që ka statusin e tillë, sepse ia përcakton Kushtetuta. Në këtë kuptim, kjo është shkelje e Kushtetutës”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarët publik. /TV Arbëria