Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qëndrim Kryeziu: Paralajmërimi për reduktimin e trupave amerikane në Kosovë duhet të shërbejë si alarm kombëtar

Qëndrim Kryeziu: Paralajmërimi për reduktimin e trupave amerikane në Kosovë duhet të shërbejë si alarm kombëtar

Qëndrim Kryeziu ka reaguar pas shqetësimeve të një grupi kongresistësh amerikanë lidhur me mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një alarm serioz për vendin.

Sipas tij, shqetësimi i ngritur nga kongresistët duhet të merret shumë seriozisht nga institucionet e Kosovës, pasi prania e trupave amerikane në kuadër të misionit të KFOR mbetet jetike për garantimin e sigurisë jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit.

Kryeziu thekson se kongresistët amerikanë i janë drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke kërkuar që të shmangen plane të tilla, pikërisht për shkak të pasojave që mund të sillte një reduktim i pranisë ushtarake amerikane në Kosovë.

Ai vlerëson se në një kohë të trazuar globale, Kosova duhet të përqendrohet në forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, sipas tij, pushteti aktual në vend, në vend të thellimit të aleancës me Uashingtonin, po përfshihet në kriza të vazhdueshme të brendshme dhe procese të shpeshta zgjedhore.

Sipas Kryeziut, Kosova në të kaluarën ka qenë me fat për shkak të lidershipit politik që e kishte të qartë se partneriteti me SHBA-të ishte çelësi i suksesit dhe i konsolidimit të shtetit.

Ai shton se pikërisht këto miqësi të ndërtuara ndër vite janë ato që edhe sot po ngrenë zërin për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, ndërsa Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas tij, ose po hesht, ose po rrezikon t’i dëmtojë këto raporte.