Shkruan: Agron Hoti
Kanë kaluar gati 7 vite dhe vendi po rrëshqet prapa me shpejtësi të frikshme. Zero integrim në BE. Zero afrim drejt NATO-s. Zero investime të huaja. Zero vizion. Korrupsioni ka shpërthyer jashtë çdo kontrolli, vjedhin komunat, vjedh qeveria, vjedh i madh e i vogël, vidhet e ardhmja. Çmimi i energjisë është rritur mbi 150%, bashkë me të edhe çdo çmim tjetër. Dhe paralajmërohet sërish rritje. Asnjë projekt madhor nuk është nisur nga e para. Asnjë reformë e thellë nuk është çuar deri në fund.
Gjatë kësaj kohe, Kosova ka humbur realisht sovranitetin në veri. Përveç prezencës sporadike të policisë, shteti është zhdukur atje. Nga Zajednica përfunduam në Samoupravnicë (autonomi) për serbët e veriut, në një realitet edhe më të rrezikshëm politik. Madje u vendosëm nën sanksione perëndimore, një turp i pashembullt për një vend që pretendon orientim euroatlantik.
Rezultati po shihet sheshazi? Mbi 250 mijë të rinj janë larguar. Ikja e frikshme e rinisë dhe profesionistëve po vazhdon. Sa më shumë po zbrazet vendi, aq më shumë po shtrenjtohet jeta për ata që po mbesin. Fuqia punëtore po ikën, ekonomia po tkurret, çmimet po rriten, vendi po bëhet gradualisht i pajetueshëm. Dhe ne vazhdojmë nga zgjedhjet në zgjedhje, nga kriza në krizë, pa asnjë zgjidhje reale.
Nëse kjo është paaftësi apo sabotazh i qëllimshëm, historia do ta gjykojë. Por koha e humbur nuk kthehet më. E koha është para. Kombet e tjera po luftojnë për të ecur përpara. Ne po garojmë për të ecur prapa. E Serbia pikërisht këtë e ka pritur, na fakt ka investuar shumë për këtë gjendje.
Kjo nuk është më thjesht e dhimbshme. Është alarm kombëtar.